Kievi nuk duket si një qytet i mbërthyer nga ethet e Kampionatit Evropian. Këtë më së miri e konfirmon një shëtitje nëpër kryeqytetin e Ukrainës në një ditë kur nuk ka ndeshje në “Euro 2020”. Mund të shihen vetëm disa parulla apo flamuj që sugjerojnë se Përfaqësuesja e Ukrainës ka shkruar historinë duke arritur në çerekfinale të këtij turneu për herë të parë.
Por, nëse “gërvishtni” sipërfaqen, atëherë do të gjeni një qytet që frymon me rezultatet e Ukrainës në “Euro 2020”. Ukraina do të përballet me Anglinë në ndeshjen çerekfinale, që luhet të shtunën në Romë.
“Jam gati dhe po e pres një fitore të Ukrainës ndaj Anglisë”, tha Andriy 29-vjeçar, që ishte jashtë kafenesë së njohur “Espressoholic” në rrethin e Podil. “Unë e di, sigurisht, që Anglia është më e fortë, por unë dua të besoj se mund ta eliminojmë”.
Sheshi “Sportyvna” pranë kullës “Gulliver”, ku tifozët do të mblidhen përsëri për të brohoritur kundër Anglisë, shpërtheu të martën në mbrëmje pas vërshëllimës së fundit të arbitrit në ndeshjen e 1/8 së finales kundër Suedisë (2:1). Tifozët të mbështjellë me flamuj të verdhë dhe të kaltër brohorisnin “U-KRA-IN-A!” ndërsa shoferët u binin borive dhe i drejtonin makinat të bënin xhiro rreth të njëjtit rrethrrotullim të sheshit. Goli i fitores erdhi nga sulmuesi i Dnipros, Artem Dovbyk, në minutën e 121-të.
Në qytetin e tij të lindjes, në Cherkasy, babai i Artemit u tha gazetarëve se gruaja e tij qau nga gëzimi i madh.
Fitorja ndaj Suedisë ishte madje një ngjarje me rëndësi kombëtare. Ministrat e qeverisë ukrainase u paraqitën të nesërmen me fanellat e ekipit kombëtar. Ndërkohë, presidenti Volodymyr Zelenskiy e përgëzoi ekipin për kualifikimin në çerekfinale, të cilën e quajti një fitore “nga Uzhhorodi në Luhansk dhe nga Chernihivi në Simferopol”, duke përfshirë qytetet që kanë rënë nën kontrollin e Rusisë pas aneksimit të Krimesë dhe shpërthimit të konfliktit në lindje të Ukrainës.
“Ukraina është ekip që tregon karakterin dhe fuqinë. Është ekip që lufton dhe nuk dorëzohet kurrë”, shkroi ndër të tjerash Zelenskiy.
Ukrainasit, që e kanë parë ekipin të eliminohet në fazën e grupeve të “Euro 2012” dhe “Euro 2016”, kanë insistuar se kurrë nuk ka qenë kohë më e mirë se tani për ta përkrahur skuadrën e përzgjedhësit Andriy Shevchenko.
“Ukraina aktualisht po luan shumë mirë në krahasim me të shkuarën. Jam krenar që jam tifoz i flaktë i saj në këtë Evropian. Në fakt, tash është koha më e mirë për ta përkrahur Ukrainën, që është shndërruar në një ekip të fortë falë punës së trajnerit Shevchenko”, tha Volodymyri, një student nga Odesa që po studion në Universitetin Shtetëror të Politeknikës në Kiev.
Tani, tifozët por edhe gjithë qyteti i Kievit po shpresojnë se shpirti ekipor dhe fati do ta ndihmojnë Ukrainën ta bëjë befasinë e radhës, ta eliminojë Anglinë. Pas eliminimit të Anglisë, po ëndërrojnë ta shohin Ukrainën në finale të Evropianit, e cila do të luhet në Londër.
“Mund të them se rezultati i së shtunës do të jetë 2:1 për Ukrainën pas vazhdimeve, ngjashëm sikurse me Suedinë. Kjo është bindja ime. Ukrainën e shoh jo vetëm në gjysmëfinale, por në finale të Evropianit”, tha Mykhailo, një student tjetër 20-vjeçar. “Ndoshta do të jetë edhe 3:1 për Ukrainën, por me rëndësi është të fitojmë. I kam shikuar edhe ndeshjet e Anglisë, por nuk më ka bindur me lojën e saj dhe për këtë arsye jam optimist për fitoren e Ukrainës”.
Analistët dhe bastet e konsiderojnë Ukrainën autsajdere përballë Anglisë. Megjithatë, tifozët insistojnë se futbollistët e përzgjedhësit Shevchenko tashmë e kanë bërë krenar vendin e tyre.
“Mendoj se Ukraina tashmë i ka arritur pritjet që i kemi pasur ne si tifozë para fillimit të Evropianit. Ka treguar karakter, ka luftuar dhe nuk është dorëzuar përballë asnjë kundërshtari, përkundër vështirësive në fillim. Për mua, lojtarët tashmë janë fitues të Evropianit sepse na kanë bërë krenarë me paraqitjet e tyre”, tha Serhiy, 33-vjeçar, që kishte veshur fanellën e ekipit dhe po shëtiste afër sheshit ku do të transmetohet ndeshja e së shtunës. “Pavarësisht rezultatit në çerekfinale, ne do t’i presim lojtarët tanë si heronj të vërtetë. Megjithatë, unë besoj në fitore ndaj Anglisë, pasi gjithçka është e mundur”.