Qeveria e Britanisë së Madhe ka vendosur që të heqë nga lista e kuqe për COVID-19 edhe shtatë vendet e fundit.
Kolumbia, Panamaja, Ekuadori, Republika Domenikane, Haiti, Peruja dhe Venezuela, ishin shtetet e fundit që kishin mbetur në këtë listë, e për të cilat Britania e Madhe kishte mbyllur kufijtë për shkak të variantit brazilian të koronavirusit.
“Ne do ta mbajmë Listën e Kuqe në fuqi si një masë paraprake për të mbrojtur shëndetin publik dhe jemi të gatshëm t’i shtojmë asaj vende dhe territore sipas nevojës, si vijë e parë e mbrojtjes për Britaninë e Madhe”, ka shkruar në Twitter ministri i Transportit, Grant Shapps.
Masa, që hyn në fuqi nga e hëna e ardhshme, ka të bëjë me Anglinë, por edhe pushteti lokal skocez ka njoftuar se ka marrë të njëjtin vendim.
Qeveria britanike ka njoftuar po ashtu, se po e shtrin në 30 vende dhe territore të reja lehtësimin e regjimit të testimit për pasagjerët e vaksinuar.