Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar lidhur me 4200 firmat e dorëzuara nga Sali Berisha për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.
Në një prononcim për gazetarët nga selia e PD-së, Basha tha se “Berisha ka qenë për një kohë shumë të gjatë kryetar i Partisë Demokratike, e di shumë mirë statutin, rregullat e partisë. E di se si vihen në lëvizje mekanizmat për thirrjen e Kuvendit”.
“Jam thellësisht i zhgënjyer nga tallja që ka bërë me demokratët dje duke fshehur blofin e tij dhe mungesën e firmave për ¼ e anëtarëve të Kuvendit që do të vinin në lëvizje mekanizmin për thirrjen e Kuvendit. Nëse do t’i kishte mbledhur, do i kishte dorëzuar sipas statutit që të nisnin procedurën statutore që ai e njeh shumë mirë. Dhe fakti që ai s’e ka bërë, çdo demokrat e kupton pse s’e ka bërë, sepse e gjitha ka qenë një blof. Dhe atë që e nisi si betejë gjoja për demokratizimin e Partisë Demokratike përfundoi si betejë për hallet e tij personale dhe për pushtetin e tij personal”, u shpreh Basha.
Sipas tij, përgjigjja e statutit është fare e qartë dhe ka një proces shumë të qartë. “Jua ka shpjeguar në detaje Sekretari i Përgjithshëm. Ndaj ju ftoj t’i referoheni që të mos bëhemi përsëritës, çdo gjë që Sekretari i Përgjithshëm ka përsëritur dje. Ndërsa qëndrimin tim si kryetar besoj e keni të qartë, është i paekuivok”, vijoi Basha.
Ai deklaroi se “Kuvend Kombëtar sa herë të jetë i nevojshëm do ta thërras unë, sa herë të jetë i nevojshëm jam i gatshëm të thërras Kuvend për demokratët dhe Kuvend të demokratëve”.
“Dua ta hedh poshtë gënjeshtrën e shpërndarë se PD dhe kryetari i saj nuk duan kuvend. Jo! Ajo që kam thënë që asnjë kuvend dhe asnjë institucion i PD nuk do të marrë në shqyrtim vendimet e qeverisë amerikane dhe PD nuk do të kthehet në bunker për hallet personale as të Sali Berishës dhe askujt tjetër. Do të mbetet shpresa e demokratëve dhe sakrifica e tyre. Do ecim përpara”, shtoi Basha.
Ai tha se “kemi përpara një armik, jo kundërshtar, kemi një regjim përballë”.
“Po shikoni që regjimi mbështetet në një trekendësh. Kemi të dhëna që regjimi është bërë pjesë e përpjekjes për një puç brenda PD. Prandaj kam vetëm një thirrje dhe një ftesë për Sali Berishën. Nuk i kishe firmat dhe nuk i dorëzove tek organet statutore, ashtu siç i di fare mirë rregullat e kësaj partie, sepse ke qenë kryetar i kësaj partie. Boll harxhove kohën dhe energjitë e demokratëve, boll ndihmove Edi Ramën. PD do bëjë gjithçka nën lidershipin e zgjedhur që kundërshtarin e vetëm të Shqipërisë dhe armikun e vërtetë të përditshmërisë së shqiptarëve, Edi Ramën dhe regjimin e tij, ta çojë një orë e më parë përpara fundit të merituar politik. Ne jemi në atë parlament që ky fund të vijë një orë e më parë, për të rikthyer demokracinë dhe legjitimitetin në shina. Siç e dini kemi çuar iniciativa dhe do ndërmarrim çdo aksion politik edhe me ndihmën e partnerëve tanë që jo vetëm demokratëve, por gjithë shqiptarëve t’u kthehet vota e vjedhur dhe shpresa e vrarë”, përfundoi Basha.