Kreu i Partisë Demokratike thekson se është i përgatitur për çdo situatë të papritur brenda kampit blu.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha shprehet se ai dhe partia janë të përgatitur për çdo situatë të papritur lidhur me krizën e krijuar brenda selisë blu ku do të mbahen 2 kuvende; 11 dhjetor dhe 18 dhjetor. Në një intervistë të dhënë për “News 24”, kryedemokrati uron që të fitojë gjakftohtësia mes demokratëve.
Më tej, ai shtoi se uron që rivali i tij Sali Berisha ta kuptojë që është kthyer në “barrë të pamerituar për demokratët”.
PJESË NGA INTERVISTA E LULZIM BASHËS
Partia Demokratike dhe unë jemi të përgatitur për çdo situatë. Ajo që dua të them është kjo, ka një palë që investon fuqishëm për të përçarë Partinë Demokratike dhe kjo palë është regjimi, është Edi Rama, me forma dhe mënyra të ndryshme, shumë prej tyre janë denoncuar në mendja nga demokratë të thjeshtë përmes presioneve që u janë bërë pikërisht nga ata zyrtarë të Partisë Socialiste apo faktorë të krimit të organizuar që deri me 25 prill Partia Demokratike dhe demokratët i kam pasur përballë dhe tani pa pritur i shohim tek ndihmojnë aktivitetet e zotit Berisha, por një gjë është e sigurt, as vullneti i demokratëve as arsyeja se pse kjo parti është themeluar, ekziston, qëndron dhe do të qëndrojë që është ti shërbejë shqiptarëve, demokracisë, zhvillimit të Shqipërisë nuk do të tronditen apo do të lëkunden për shkak të nevojave, halleve problemeve personale të një njeriu të vetëm çfarë do qofshin mjetet që ky person zgjedh të hedhë kundër Partisë Demokratike. Uroj që të prevalojë sado pak gjakftohtësia, uroj të kuptojë që është kthyer në një tubë oksigjeni për këtë regjim, uroj ta kuptojë që është kthyer në një barrë të pamerituar për demokratët dhe Partinë Demokratike teksa ne kemi mobilizuar të gjitha energjitë tona në përballjen me regjimin me një agjendë të qartë politike, por në çdo rast siç ju thashë Partia Demokratike dhe unë jemi të përgatitur për çdo situatë.