Një studim i madh në të cilin mijëra vullnetarë në Mbretërinë e Bashkuar janë testuar për COVID-19, tregon se 2 në çdo 3 persona me variantin Omicron janë prekur më herët nga koronavirusi
Dy të tretat e njerëzve që kanë rezultuar pozitiv me variantin Omicron deklarojnë se edhe më parë kanë qenë të infektuar me COVID-19, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të BBC-së, hulumtimet nga “React”, një studim i madh dhe i vazhdueshëm në të cilin mijëra vullnetarë në Mbretërinë e Bashkuar të cilët janë testuar për COVID-19, tregojnë se 2 në çdo 3 persona me variantin Omicron janë prekur më herët nga koronavirusi.
Rezultatet e hulumtimit tregojnë se nevojiten më shumë studime për të përcaktuar se sa prej tyre janë riinfektuar. Hulumtimi zbuloi grupet që duken më të prirur për t’u riinfektuar me COVID-19.
Zbulimet e “React” zbulojnë se infeksionet me COVID-19 janë ngadalësuar kohët e fundit, por mbeten të zakonshme, veçanërisht tek fëmijët dhe adoleshentët.
Drejtori i programit “React” prof.dr. Paul Elliott nga Imperial College London tha: “Ka një përhapje në rritje të shpejtë në mesin e fëmijëve, tani është më e zakonshme pas fillimit të periudhës së shkollës. Përhapja është rritur tek të moshuarit mbi moshën 65-vjeç në krahasim me dhjetorin. Kjo mund të çojë në rritjen e shtrimeve në spital. Prandaj është jetike që ne të vazhdojmë të monitorojmë nga afër situatën”.
Shkalla më e lartë e parë që nga fillimi i pandemisë
Zbulimet e fundit të studimit, i cili mbulon më shumë se 2 milionë njerëz dhe përfshin dy javët e para të vitit 2022, bazohen në afërsisht 100 mijë teste PCR të dërguara nga vullnetarë.
Thuhet se rreth 4.000 nga këto teste, kryesisht me variantin Omicron, dolën pozitivë dhe kjo ishte shkalla më e lartë e parë që nga fillimi i pandemisë.
Gjithashu thuhet se nuk është ende e qartë se sa nga vullnetarët që rezultuan pozitivë ishin vaksinuar plotësisht. Thuhet se në disa raste testet PCR mund të kapin gjurmë të viruseve të vjetër.
Vlerësime të tjera sugjerojnë se një në dhjetë raste me Omicron është ri-infeksion.