Vahid Halilhodzic ka bërë histori duke u bërë trajneri i parë që kualifikohet në Kupën e Botës FIFA me katër skuadra të ndryshme, pasi u kualifikua më Marokun në garën e sivjetme.
Maroku mundi të martën DR Kongon 4-1 në “Stade Mohamed V” në Casablanca, në kuadër të raundit të tretë të kualifikimeve të Konfederatës së Futbollit Afrikan (CAF) për Kupën e Botës 2022 Katar.
Maroku u bë ekipi i pestë i kualifikuar afrikanë së bashku me Kamerunin, Tunizinë, Ganën, dhe Senegalin.
Trajneri boshnjak Halilhodzic u kualifikua më parë për Kupën e Botës me Bregun e Fildishtë në vitin 2010, pastaj me Algjerinë në vitin 2014, Japoninë në 2018 dhe Marokun në 2022.
Anadolu Agency shkruan se kjo është hera e parë që një trajnerë e bën këtë me katër shtete të ndryshme.
Madje boshnjaku suksesin e madh e arriti pasi e përjashtoi edhe yllin e skuadrës, Hakim Ziyech.
Halilhodzic ka drejtuar më parë klube si PSG dhe Trabzonspor.
Shpërblimet për kualifikimin
Vahid Halilhodzic dhe lojtarët u shpërblyen shumë për kalimin e Marokut në Kupën e Botës. Federata e Futbollit të Marokut ka vendosur të shpërblejë stafin profesionist dhe lojtarët.
Halilhodzic dhe stafi i tij së bashku me lojtarët do të marrin 13 milionë euro.
Kjo shumë e fituar është më e madhe se sa që Maroku merr nga FIFA për Kupën e Botës. Ju kujtojmë se çdo kombëtare që kalon në Katar do të marrë fillimisht nga 10.5 milionë dollarë (9.4 milionë euro).