Gjykata Mbretërore e Xhersit ka vendosur ngrirjen e aseteve të manjatit rus, Roman Abramovich.
Qeveria në Britaninë e Madhe, si dhe Bashkimi Evropian me SHBA-të vendosën sanksione ndaj atij që cilësohet si oligark rus dhe i lidhur me Vladimir Putin-in. Sanksione këto si pasojë e luftës që Rusia nisi në Ukrainë.
Sipas mediave britanike, vlera e aseteve të Abramovich-it të cilat janë bllokuar nga gjykata shkon në shifrën e 6.5 miliardë eurove ose rreth 7 miliardë dollarë.
“Gjykata Mbretërore më 12 prill vendosi një urdhër formal ngrirjeje, të njohur si saisie judiciaire, për asetet e dyshuara se janë të lidhura me zotin Abramovich dhe që ndodhen në Jersey dhe që besohet se kanë vlerë më shumë se 7 miliardë dollarë”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Xhersi është një ishull midis Francës dhe Britanisë, por nën juridiksionin e Kurorës Britanike. Sistemi tatimor i ishullit e bën atë qendrën më të madhe financiare globale në botë në det të hapur.
Ishulli është shtëpia e mbi 400 fondeve investuese që kontrollojnë 436 miliardë euro dhe 24 bankave me depozita mbi 152 miliardë euro. Ai ka një normë tatimi zero mbi korporatat, përveç kompanive që ofrojnë shërbime financiare, të cilat paguajnë 10% të fitimeve.