Sekretarja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Liz Truss, në një fjalim të rëndësishëm të politikës së jashtme që mbajti në Londër, tha se vendi i saj dhe aleatët perëndimorë, përveç Ukrainës, duhet të orientohen edhe drejt vendeve të tjera që mund të jenë të rrezikuara nga Rusia, përfshirë Ballkanin Perëndimor.
Në këtë drejtim, ajo tha se Perëndimi duhet të dërgojë armë në vendet e tjera të kërcënuara nga Rusia.
“Ne duhet të sigurojmë që, krahas Ukrainës, Ballkani Perëndimor dhe vende si Moldavia dhe Gjeorgjia të kenë qëndrueshmërinë dhe të jenë në gjendje për të ruajtur sovranitetin dhe lirinë e tyre”, është shprehur Truss.
Ajo theksoi se forcat ruse duhet të largohen nga “e gjithë Ukraina”, duke shtuar se fitorja për Ukrainën tani është një “imperativ strategjik” për Perëndimin. Kjo deklaratë e saj ishte më e forta që vjen nga Britania e Madhe, e cila deri më tani ishte kufizuar në deklarimin se pushtimi i Ukrainës nga presidenti Putin “duhet të dështojë”.
Truss kërkoi që aleatët perëndimorë të dyfishojnë mbështetjen e tyre për Kievin. “Ne do të vazhdojmë të ecim përpara më shpejt për të dëbuar Rusinë nga e gjithë Ukraina”, tha ajo.
Shefja e diplomacisë britanike nënvizoi se lufta në Ukrainë mund të zvarritet 10 vjet, ndaj duhet vepruar. Ministrja britanike se kjo krizë duhet të jetë katalizatori për një rishikim të qasjes së Perëndimit ndaj sigurisë ndërkombëtare