Shumë njerëz pësuan lëndime pasi një tren pasagjerësh u përplas me një lokomotivë të premten në Sllovaki.
Sipas deklaratës së policisë sllovake të postuar në mediat sociale, 59 persona u lënduan lehtë, 11 pësuan lëndime mesatare dhe katër lëndime të rënda. 34 persona u transferuan në spitalet e afërta, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Policia tha se shkaku i aksidentit po hetohet.
Në tren ndodheshin rreth 100 persona në momentin e përplasjes, e cila ndodhi pranë qytetit Vrutky në pjesën veriperëndimore të vendit.
Treni u ndal për shkak të një defekti dhe u godit nga një lokomotivë e cila po i vinte në ndihmë, tha ministria.
Vendi është afër një kryqëzimi të rëndësishëm hekurudhor ku linjat nga brendësia e vendit në Bratislavë takohen me ato të Republikës Çeke fqinje. /Telegrafi/