Nga rreth një miliard dollarë ndihmë ushtarake që Departamenti amerikan i Shtetit paralajmëroi për 17 vende evropiane, 23 milionë do të shkojnë në Mal të Zi për forcimin e sektorit të mbrojtjes.
Nuk dihet ende se sa para do të marrin vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat, përveç Serbisë, janë po ashtu në listë.
Ministria e Brendshme e Kosovës nuk iu përgjigj interesimit të Radios Evropa e Lirë për këtë çështje.
Nga Departamenti amerikan i Shtetit thanë se kjo ndihmë, e cila i ndahet edhe Ukrainës, tregon përkushtimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara “për të ardhmen e Ukrainës si një shtet demokratik, sovran dhe i pavarur, si dhe për sigurinë e aleatëve dhe të partnerëve në të gjithë rajonin”.
Sa ndihmë marrin Ukraina dhe të tjerët?
Prej se administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, mori mandatin në janar të vitit 2021, SHBA-ja ndau rreth 15.2 miliardë dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën – sidomos nga fundi i shkurtit, kur Rusia nisi pushtimin e këtij vendi.
Më 8 shtator, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, prezantoi një ndihmë të re prej 2.2 miliardë dollarësh, por përveç Ukrainës, ajo do t’u ndahet edhe 17 vendeve të tjera.
Ukraina, përmes këtij programi, i njohur si “Foreign Military Financing”, do të marrë një miliard dollarë, ndërsa pjesa tjetër do të shpërndahet midis vendeve të tjera.
“[Ato do të] përfshijnë shumë nga aleatët tanë të NATO-s, si dhe partnerë të tjerë rajonalë të sigurisë, që janë në rrezik potencial nga agresioni i ardhshëm rus”, tha Blinken nëpërmjet një deklarate.
Reuters, më vonë, transmetoi deklaratën e një zyrtari të Departamentit amerikan të Shtetit, i cili tha se pjesa tjetër e parave do të ndahej midis Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Bullgarisë, Kroacisë, Republikës Çeke, Estonisë, Gjeorgjisë, Greqisë, Kosovës, Letonisë, Lituanisë, Moldavisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Polonisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë.
E njëjta gjë u konfirmua një ditë më vonë në Twitter nga misioni amerikan në NATO.
“Ndihmë e mirëseardhur”
Gjëja e parë që duhet kuptuar, thotë Bruno Lete nga Fondi Gjerman Marshall, me seli në Bruksel, është se në Ballkanin Perëndimor ka tensione të shtuara dhe kërcënime për dhunë. Në sytë e Shteteve të Bashkuara, thotë ai, “shumë nga rreziqet e sigurisë lidhen me Rusinë”.
“Ekziston bindja se presidenti [rus Vladimir] Putin dhe Kremlini po luajnë një rol në rajon, që është i dëmshëm për sigurinë. Unë mendoj se ekziston një dëshirë në Shtetet e Bashkuara, dhe gjithashtu në kontekstin e NATO-s, për t’i rritur përpjekjet në rajon”, thotë Lete.
Sipas tij, kur bëhet fjalë për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor, “së pari duhet të shikohet Kosova dhe Serbia”, ku, siç thotë, “shohim tensione, pavarësisht një sinjali të vogël pozitiv” në lidhje me dokumentet.
Dy vendet i kanë hequr dokumentet e posaçme për hyrje/dalje nga fundi i muajit të kaluar.
“Por, është e qartë se Rusia po simulon tensione mes Kosovës dhe Serbisë”, thotë Lete.
Ai shton se operacionet e ndikimit rus janë shumë aktive edhe në Bosnje dhe Hercegovinë, ku, siç shprehet, “po përpiqen t’i ndezin tensionet politike”.
Lete thotë se lufta në Ukrainë ka ngjallur “kujtime shumë të dhimbshme të së kaluarës” në Ballkanin Perëndimor dhe se përfshirja e Shteteve të Bashkuara në shumicën e vendeve të këtij rajoni “është e mirëpritur”.
Siç thanë nga Departamenti amerikan i Shtetit për Radion Evropa e Lirë, më shumë se dy miliardë dollarë fonde ushtarake “do t’i ndihmojnë në mënyrë specifike vendet e prekura nga situata në Ukrainë, përfshirë vendet në krahun lindor dhe partnerët dhe aleatët tjerë rajonalë, që i kanë ofruar ndihmë për sigurinë Ukrainës, gjatë konfliktit të saj të vazhdueshëm me Rusinë”.
Për Malin e Zi, 23 milionë dollarë
Qeveria e Shteteve të Bashkuara do të ndihmojë modernizimin e Ushtrisë së Malit të Zi dhe forcimin e kapaciteteve të saj me 23 milionë dollarë shtesë, tha Ministria e Mbrojtjes e këtij vendi në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.
“Në vazhdën e ngjarjeve aktuale në Mal të Zi, fokusi i veçantë do të jetë në forcimin e kapaciteteve në fushën e mbrojtjes kibernetike. Kjo paketë ndihme është vetëm një në serinë e mbështetjes së vazhdueshme të SHBA-së për forcimin e sektorit të mbrojtjes në Mal të Zi”, thuhet në deklaratë.
Sulmet kibernetike në rrjetin informativ të Qeverisë së Malit të Zi filluan nga fundi i gushtit, duke pamundësuar qasjen në ueb-faqe dhe emaile të Qeverisë, por edhe të institucioneve të tjera, si: prokuroria, gjykatat, kadastra etj. Pasojat e këtyre sulmeve kibernetike nuk janë sanuar ende.
“Si një aleat që ndan vlerat e SHBA-së dhe NATO-s, Mali i Zi – si anëtar i përgjegjshëm i aleancës dhe vend që ka bërë përparimin më të madh në rrugën drejt BE-së – ka harmonizuar politikën e tij të jashtme dhe të sigurisë në raport me agresionin rus kundër Ukrainës”, tha Ministria e Mbrojtjes në Podgoricë.
Mali i Zi është anëtar i NATO-s qysh në vitin 2017.
Sipas ministrisë, 23 milionë dollarët e fituar do t’i dedikohen modernizimit dhe pajisjes së Ushtrisë së Malit të Zi, përmbushjes së objektivave të kapaciteteve të NATO-s dhe forcimit të kapaciteteve në fushën e mbrojtjes kibernetike.
Përpara fillimit të luftës në Ukrainë, SHBA-ja ka mbështetur Malin e Zi përmes trajnimeve dhe përgatitjes së njësive për misione dhe operacione ndërkombëtare, forcimit të aftësive për gatishmëri civile-ushtarake, trajnimit të njësive për helikopterë e të tjera. Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, bashkëpunimi i ngushtë midis Malit të Zi dhe SHBA-së ka vazhduar, me fokus forcimin e rezistencës ndaj ndikimit malinj të Rusisë dhe mbrojtjen e paqes dhe stabilitetit.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes në Mal të Zi, SHBA-ja, deri më tani, ka investuar disa dhjetëra milionë dollarë në sistemin e mbrojtjes së këtij vendi, të cilat janë përdorur për blerjen e pajisjeve të reja dhe modernizimin e pajisjeve ekzistuese.
Para edhe për Maqedoninë e Veriut
Maqedonia e Veriut – vendi që u bë anëtari i tridhjetë i NATO-s në mars të vitit 2020 – është gjithashtu në listën e atyre që do të marrin fonde nga paketa e fundit amerikane.
Vendimi për dhënien e ndihmës është “një reflektim i partneritetit dhe aleancës strategjike ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.
“Kjo mbështetje është për modernizimin e ushtrisë së Maqedonisë së Veriut, por edhe për forcimin e sigurisë në rajon dhe për sigurinë kolektive të aleancës së NATO-s në tërësi”, thuhet në deklaratë.
Programet e bashkëpunimit në mbrojtje midis dy vendeve kanë filluar në vitin 1996. Nëpërmjet Programit Ndërkombëtar të Ndihmës Ushtarake, Shtetet e Bashkuara i kanë dhuruar Maqedonisë së Veriut pajisje ushtarake me vlerë prej 160 milionë dollarësh.
“SHBA-ja si partneri më i rëndësishëm”
Sipas Letes, nga Fondi Marshall, “të gjithë sytë janë te Bosnje dhe Hercegovina”.
“Kohëve të fundit, kemi parë rritje tensionesh. Dhe, Bosnja është gjithashtu qendër e dezinformimit rus dhe kërcënimeve të tjera të sigurisë”, thotë Lete.
Plani i presidentit amerikan, Joe Biden, që SHBA-ja të ndihmojë financiarisht Bosnje e Hercegovinën dhe vendet e tjera evropiane në mbrojtje kundër agresionit rus, konfirmon “korrektësinë e politikës sonë kombëtare dhe të jashtme”, tha anëtari i presidencës së Bosnjës, Zhelko Komshiq.
“Edhe pse politika amerikane ndaj Bosnje dhe Hercegovinës mund të ndryshojë pak kursin, angazhimi i Shteteve të Bashkuara për forcimin ushtarak dhe sigurinë e vendit tonë është i padiskutueshëm. Prandaj, ato kanë qenë dhe do të mbeten partneri ynë më i rëndësishëm”, tha më herët Komshiq.
Ai shtoi se ky angazhim nuk është vetëm shprehje e vullnetit amerikan, por edhe përgjigje ndaj “vendosmërisë së Bosnje e Hercegovinës në luftën kundër ndikimit malinj rus në Bosnje e Hercegovinë dhe në rajon”.
Ambasada e SHBA-së në Bosnje e Hercegovinë tha se detajet e paketës së ndihmës do të dihen në periudhën e ardhshme dhe kujtoi se SHBA-ja ka ofruar mbështetje të konsiderueshme për Forcat e Armatosura të Bosnje e Hercegovinës që nga viti 2005, në kuadër të “përpjekjeve tona të përgjithshme për të ofruar ndihmë sigurie për aleatët dhe partnerët e NATO-s”.
Ndihma ushtarake u konfirmua edhe nga ministri i Mbrojtjes i Bosnje e Hercegovinës, Sifet Poxhiq, më 9 shtator, në Sarajevë.
Serbia, e vetmja pa ndihmë të re ushtarake nga SHBA-ja
Serbia nuk është përfshirë në listën e vendeve që do të marrin ndihmë ushtarake nga SHBA-ja.
“Serbia është vendi më pak i afërt me NATO-n ose Shtetet e Bashkuara. Dihet gjithashtu gjerësisht se Serbia ka marrëdhënie më të ngushta me Kremlinin, me Rusinë. Pra, mendoj se situata atje është më e komplikuar”, thotë Lete për arsyet e mundshme të lënies së Serbisë jashtë paketës së ndihmës.
Lete shton se ka mundësi që kjo të jetë një mënyrë se si “SHBA-ja bën presion ndaj autoriteteve serbe që t’i braktisin politikat e tyre pro-ruse”.
“Ne e respektojmë Ushtrinë e Serbisë dhe udhëheqjen e saj, si dhe vlerësojmë thellësisht partneritetin tonë ushtarak”, tha Ambasada amerikane në Beograd, duke iu përgjigjur pyetjes së REL-it se pse Serbia nuk është në listën e vendeve që do të marrin ndihma të reja ushtarake nga SHBA-ja.
Në deklaratë, po ashtu, thuhet se SHBA-ja e vlerëson Serbinë si “mikun dhe partnerin e saj dhe, varësisht nga vendimet që merr Serbia, si aleate të mundshme në NATO”.
Vetëm në vitin 2020, ndihma amerikane për Serbinë ka tejkaluar 40 milionë dollarë, sipas të dhënave të Ambasadës amerikane në Beograd.
Ambasada theksoi se SHBA-ja është donatori më i madh i ndihmës së huaj për Serbinë.
“Nga viti 2001, ne kemi dhënë gati 1.2 miliard dollarë ndihmë për të adresuar çështje që variojnë nga rimëkëmbja pas konfliktit, rritja ekonomike deri te mbrojtja e mjedisit dhe trashëgimisë kulturore të Serbisë”.
“Partneriteti ynë me Serbinë nuk ka qenë kurrë më i fortë”, tha Ambasada amerikane në Beograd.
Serbia mori ndihmën më të madhe ushtarake nga anëtarët e NATO-s
Vendet anëtare të NATO-s janë donatorët më të mëdhenj ushtarakë për Serbinë, sipas të dhënave nga Instituti për Çështje Evropiane të vitit 2019. Mes tyre kryesojnë Shtetet e Bashkuara.
Serbia aktualisht nuk është duke negociuar anëtarësimin në aleancën e NATO-s, ndërsa në vitin 2007, Parlamenti i këtij vendi, me anë të një rezolute, ka shpallur neutralitet ushtarak në raport me aleancat ekzistuese ushtarake.
Nga viti 2006, Serbia është anëtare e programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s. Partneriteti për Paqe përfshin të gjitha vendet evropiane që nuk janë anëtare të aleancës, përveç Qipros.
Serbia, si anëtare e këtij programi, ka kryer stërvitje ushtarake me aleancën e NATO-s dhe ka përdorur fondet për reformën e sistemit të mbrojtjes.
Cilët janë hapat e ardhshëm?
Pasi sekretari amerikan i Shtetit njoftoi për paketën e re të ndihmës ushtarake, ajo pritet të konfirmohet së shpejti edhe nga Kongresi.
Të gjitha këto dinamika tregojnë se Shtetet e Bashkuara po riangazhohen në rajon, thotë Lete.
“Bashkimi Evropian mund të mos jetë angazhuar siç duhet, veçanërisht kur bëhet fjalë për zgjerimin”, shton ai.
Javën e kaluar, në një fjalim në Parlamentin Evropian për gjendjen e BE-së, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, porositi vendet e Ballkanit Perëndimor, së bashku me Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën, se e ardhmja e tyre është në BE.
“Ju jeni pjesë e familjes sonë, e ardhmja juaj është në Unionin tonë dhe Unioni ynë nuk është i plotë pa ju”, tha von der Leyen.
Në korrik, BE-ja i dha Ukrainës dhe Moldavisë statusin e vendit kandidat, ndërsa Gjeorgjinë e njohu si “anëtare të mundshme”.
Lete thotë se është e qartë se Bashkimi Evropian nuk i ka kushtuar rajonit të Ballkanit Perëndimor vëmendjen që e meriton, duke e lënë atë si “një cep të harruar të Evropës”. /REL