“Kurthi” i vdekjes, media spanjolle zbardh takimin që çoi në ekzekutimin e Miklovan Dakajt

albnews
By
2 Min Read

Trupi i shqiptarit 31-vjeçar Miklovan Dakaj u gjet i pajetë në një rezervuar në Casasola, Almogía të Spanjës, disa muaj pas zhdukjes së tij në Marbella në vitin 2025.

Sipas mediave dhe autoriteteve spanjolle, trupi i tij u gjet i lidhur dhe i mbështjellë në një thes me çimento, në një tentativë për ta fshehur në fund të rezervuarit.

Dakaj ishte raportuar i zhdukur më 12 maj 2025, pasi ishte larguar nga një takim në zonën e Puerto Banús në Marbella. Ai kishte deklaruar se do të takohej me disa persona në Puerto de la Torre, por që nga ai moment nuk ishte më kontaktuar.

Hetimet e Policisë Kombëtare spanjolle treguan se zhdukja e tij nuk shoqërohej me kërkesë për shpërblim apo kontakt me familjen, duke ngritur dyshime për një rrëmbim të organizuar.

Autoritetet spanjolle dyshojnë se bëhet fjalë për një ekzekutim të lidhur me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës. Sipas hetuesve, autorët e dyshuar kanë udhëtuar nga Barcelona drejt Costa del Sol për të kryer vrasjen dhe janë larguar menjëherë pas ngjarjes.

Dakaj dyshohet se është joshur me pretekstin e një marrëveshjeje droge, përpara se të dërgohej në rezervuar, ku më pas është vrarë dhe trupi i tij është hedhur në ujë për të mos u gjetur.

Trupi u zbulua më 14 tetor 2025, kur niveli i ujit në rezervuar ra dhe një kampist vuri re një qese të dyshimtë në baltë. Brenda saj ndodhej trupi në gjendje të avancuar dekompozimi, por me elementë identifikues si tatuazhe dhe rroba. Identiteti u konfirmua më pas edhe përmes analizës së ADN-së.

Hetuesit thonë se nuk ka shenja grabitjeje apo motiv ekonomik të drejtpërdrejtë, duke forcuar pistën e një vrasjeje të lidhur me konflikte në trafikun e drogës.

Share This Article