Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk është i gatshëm të flasë për paqen në këto momente, ndërsa i bëri thirrje që të tërheqë të gjithë ushtarët e tij nga Ukraina. Gjithashtu i kërkoi Kinës që të mos armatosë Moskën, por të diskutojë planin e paqes edhe me Ukrainën.
“Mesazhi im për Pekinin është i qartë: përdorni ndikimin tuaj në Moskë për të nxitur tërheqjen e të gjitha trupave të Rusisë dhe mos dërgoni asnjë armë për agresorin rus. Është mirë që Kina përsëriti qëndrimin kundër përdorimit të armëve bërthamore në planin e saj me 12 pika, i cili qartazi dënon përdorimin e armëve biologjike dhe të shkatërrimit në masë. Por duhet që Kina t’i diskutojë idetë e saj me palët kryesore, ukrainasit dhe presidentin Zelenski”, ishin fjalët e Scholz.
Megjithatë kancelari gjerman theksoi se “dashuri për paqe nuk nënkupton nënshtrim ndaj një fqinji më të fortë. Nëse Ukraina do të ndalonte së mbrojturi vetveten, kjonuk do të çonte në paqe, por në fundin e Ukrainës. Por Vladimir Putin nuk duket se është i gatshëm të flasë për një paqe të drejtë. Nuk ka sinjale në këto momente. Tërhiqni trupat tuaja dhe kjo luftë do të marrë fund menjëherë. Është e rëndësishme që Putini ta dëgjojë këtë mesazh nga të gjitha shtetet e botës”.