Jemi mësuar të dëgjojmë shpesh në lajme se gratë dhunohen masivisht nga burrat por në fakt nuk rezulton vetëm kështu.
Ka edhe burra që dhunohen vazhdimisht nga gratë e tyre si fizikisht edhe psikologikisht.
Së fundmi duket se burrat e kanë lënë mënjanë krenarinë e tyre dhe kanë filluar të denoncojnë këtë dhunë.
Në Pogradec po ndodh një fenomen i tillë dhe kjo konfirmohet edhe nga Arbi Basho Koordinator Vendor Kundër Dhunës në Familje dhe barazisë Gjinore
“Ky është një fenomen që ka ekzistuar edhe më përpara në familjet tona.
Në ditët e sotme ky fenomen është shtuar dhe ka filluar te denoncohet në vite. Rastet e denoncimit të burrave për dhunë psikologjike kryesisht kane ardhur duke u rritur dhe kjo ndodh për shkaqe të ndryshme. Dinamikat e familjes kanë filluar të ndryshojnë, situata social- ekonomike është më stresuese, më presion për të siguruar të ardhura po edhe kerkesa për të ndjekur hapin e kohës është më e madhe. Kjo ka ndikuar në presion psikologjik të familjes.
Mosmundësia e arritjes së këtyre objektivave që ka familja shkakton dhunë psikologjike. Kryefamiljari ka presionin me të madh ndaj ndodh edhe dhuna psikologjike. Presioni i tyre ka arritur aty ku nuk mundet më”-ka thënë ai.
Për vitin 2022-23 në Pogradec janë 7 burra të pajisur me urdhra mbrojtje ndaj grave, por ende për ta nuk ka një zyrë këshillimi apo ndihme psikologjike edhe pse strategjia ekziston.