Prokuroria e Posaçme kërkon dënimin me 6.8 vite burg ish ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe 2 administratorë ende në kërkim të incineratorit të Elbasanit; si dhe 2.8 vite burg për ish deputetin Alqi Bllakon i cili në kohën kur u dha leja e incineratorit ka mbajtur postin e ish sekretarit të ministrisë së Mjedisit. Nga 2.8 vite burg u kërkua dënim edhe për 5 ish zyrtarë të kësaj ministrie. Për administratoren tjetër Stela Gugallja është kërkuar 4.8 vjet burg.
Konkluzionet përfundimtare u lexuan në seancën e sotme në Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar edhe Korrupsionit nga prokurori Arben Kraja.
Gjithashtu prokurori përfaqësues i SPAK në seancë, Arben Kraja kërkoi dhe konfiskimin e dy kompanive Integrated Technology ShPK dhe Alb Tech, 4 kompanive që u paguan nga incineratori, 8 apartamenteve, kantina e verës dhe 3 pasurive të paluajtshme të Lefter Kokës
Gjykimi i shkurtuar
Në seancën e sotme Kraja kërkoi dënimin konkretisht me 10 vite burg të Lefter Kokës, Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos. Por meqë është pranuar gjykimi i shkurtuar SPAK i kërkon gjykatës uljen e 1/3 të masës së dënimit duke kërkuar që përfundimisht të dënohen me 6.8 vjet burg.
Për Stela Gugallen është kërkuar dënimime 7 vjet burg. Meqë është pranuar gjykimi i shkurtuar SPAK i kërkon gjykatës uljen e 1/3 të masës së dënimit duke kërkuar që përfundimisht të dënohen me 4.8 vjet burg.
Për ish deputetin Alqi Bllako dhe Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri e Serafin Papa kërkohet dënimi me nga 4 vite burg por meqë është pranuar gjykimi i shkurtuar SPAK i kërkon gjykatës uljen e 1/3 të masës së dënimit duke kërkuar që përfundimisht të dënohen me 2.8 vjet burg.
Pretenca e SPAK
Lefter koka 10 vjet/6.8
Alqi Bllako 4 vjet /2.8
Pëllumb Abeshi 4 vjet / 2.8
Klodian Zoto 10 vjet/ 6.8
Serafin Papa 4 vjet/ 2.8
Bardhyl Çabiri 4 vjet/ 2.8
Etleva Kondi 4 vjet/ 2.8
Mirel Mërtiri 10 vjet/ 6.8
Stela Gugallja 7 vjet/ 4.8
Jonida Zeqo 4 vjet/ 2.8
Konfiskimi
SPAK kërkon gjithashtu dhe konfiskimin e 2 kompanive “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k, kantinën e pijeve “Gjergj Kastrioti Skenderbeu”, 3 shoqërive tregtare “Pivot 04” “J.P.Y” “Sili”, 8 apartamenteve si dhe 3 pasurive të paluajtshme të Lefter Kokës.
Akuza
Ish ministri Lefter Koka akuzohet për shpërdorim detyre, korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë dhe pastrim parash
Ish-deputeti Alqi Bllako akuzohet për “shpërdorim detyre” për veprime të kryera në rolin e tij si Sekretar i Përgjithshëm i Minsitrisë së Mjedisit. Gjithashtu ish zyrtarët akuzohen për shpërdorim detyre.
Biznesmenët Klodian Zoto, i cili është pronari zyrtar i kompanisë, si dhe administratorja Stela Gugallja dhe Klodian Zoto janë nën akuzë për korrupsion aktiv e pastrim parash. Ndërsa Mirel Mërtiri sipas prokurorisë është “pronarit faktit të shoqërisë“Albtek Energy””, kompani që zyrtarisht është nën pronësinë e shtetases Stela Gugallja.
Prokuroria thotë se dy kompanitë e incineratorit të Elbasanit, “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. kanë paguar rreth 329 milionë lekë (afërsisht 3 milionë euro) fatura për punë të pakryera.
Reagon avokati
Avokati i Jonida Zeqos, Saimir Visha tha se ky proces po ndikohet politikisht
“Për herë të parë prokuroria ka shkelur me të dyja këmbët parimin e gjësë së gjykuar. Kjo çështje u gjykua nga gjykata e Elbasanit. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që SPAK nuk ka bërë dallim por ka dhënë masa drastike për ‘shpërdorim detyre”. Në të gjitha çështjet për ‘shpërdorim detyre” gjykata nuk ka dhënë më shumë se 1 vit, por këtë herë ka dhënë 4 vjet. E kam thënë që në fillim kjo është çështje politike aspak ligjore. Prandaj ka shkuar deri në këtë pikë duke katërfishuar masën e dënimit” tha Visha në përfundim të seancës.
Dosja prej dhjetorit në GJKKO
Sipas prokurorisë, të akuzuarit kanë dhënë koncesion në kundërshtim me ligjin, kanë lëshuar dhe pranuar fatura për punime të paqena dhe kanë transferuar paratë e përfituara përmes një rrjeti kompanish false.
Në dhjetor 2022, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbylli hetimet dhe dërgoi dosjen për gjykim ndaj ish ministrit Koka, ish deputetit Bllako, gjashtë zyrtarëve të tjerë si dhe biznesmenët Mërtiri, Zoto e Gugallja. Nën akuzë penale u vendosën edhe kompanitë “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k.
Zyrtarët e akuzuar morën pjesë në procedurat e dhënies së koncesionit me prokurim pa shpallje. Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri e Serafin Papa akuzohen për shpërdorim detyre.
Në shkurt 2023 GjKKO pranon gjykimin e dosjes së incineratorët të Elbasanit. Pas pretencës që u lexua sot, avokatët mbrojtës pritet të thonë fjalën e tyre në 1 qershor 2023.