Chelsea pritet të arkëtojë 75 milionë euro nga Arsenali, pasi ka pranuar të kalojë te “topçinjtë” sulmuesin gjerman, Kai Haverts.
24-vjeçari ishte në listën e largimeve dhe për të pati oferta të shumta nga disa klube europiane, përfshi edhe Bayernin e Mynihut dhe Realin e Madridit, megjithatë Mikel Arteta ka bërë një punë të mirë bindëse, duke u angazhuar personalisht për ta marrë te Arsenali. Aventura e fantazistit gjerman te Chelsea mbyllet kështu pas 3 sezonesh, pasi mbërriti në Londër në verën e 2020-ës, kur drejtuesit e bluve vendosën ta transferojnë nga Bayer Leverkusen.
Ndërkohë, sulmuesi shqiptar Armando Broja vijon të mbetet pjesë e “Bluve të Londrës”. Për të, të paktën sipas mediave britanike, trajneri i ri do ta shohë nga afër gjigantin shqiptar gjatë fazës përgatitore dhe më pas do të vendosë për të ardhmen e tij. Broja vjen nga një fazë e gjatë dëmtimi dhe pritet të rikthehet në fushën e lojës në muajin shtator.