Dizajneri i njohur i makinave Peter Horbury, i njohur për punën e tij në Ford, Volvo dhe Lotus, ka ndërruar jetë në moshën 73-vjeçare në Kinë.
Karriera e Horbury, i cili mbante pozitën si nënkryetar ekzekutiv i dizajnit në Lotus shtrihet në gati pesë dekada, me kontribute në marka dhe modele të shumta gjatë gjithë kohës së tij si dizajner veturash.
Portfolio e gjerë e Horbury përfshin punë në Chrysler, Ford (dy herë), Volvo (tre herë), Geely Group dhe më pas Lotus, ku ai dha kontribut të rëndësishëm në gjuhën e dizajnit të secilës markë, raporton Drive.
Ndër të tjera Horbury gjithashtu punoi si i pavarur për prodhuesit e veturave të ndryshëm si Bentley, BMW, Mercedes-Benz, MG, Rolls-Royce dhe Triumph.
Një nga arritjet e dukshme të Horbury ishte roli i tij kryesor në Volvo, duke e zhvendosur fokusin e markës nga siguria në dizajn.
Në një deklaratë, Lotus konfirmoi vdekjen e Horbury. “Me pikëllim të madh njoftojmë vdekjen e Peter Horbury, nënkryetar ekzekutiv i dizajnit të Lotus Group”.
“Ai ndërroi jetë në fillim të javës së kaluar teksa vizitonte kolegët tonë në Kinë, duke bërë atë që ka bërë gjithmonë – duke udhëhequr, frymëzuar dhe udhëzuar të tjerët për të sfiduar konventat dhe për të qenë më të mirët në fushat e tyre”, thuhej tutje në deklaratën e Lotus.