Rusia ka sulmuar me dronë një port të Ukrainës në Lumin Danub, duke shkatërruar disa magazine gruri. Kjo është konfirmuar nga zyrtarët lokalë, duke sqaruar se magazinat gjendeshin në lumin që shërben dhe si kufi ndarës mes Ukrainës dhe Rumanisë, një shtet anëtar i NATO-s.
Danubi është një rrugë kryesore eksporti për Kievin që kur Rusia u tërhoq nga marrëveshja që lejonte eksportimin e grurit, misrit dhe produkteve të tjera nëpërmjet Detit të Zi. Tregjet globale kanë parë rritjen e çmimit të drithit me 8% brenda një dite pas tërheqjes së Moskës nga marrëveshja për bukën e botës.
Mediat në Rumani raportuan se ushtarët dhe marinarët kanë parë dronët të fluturonin dhe se kanë dëgjuar zhurmën e madhe të shkaktuar nga shpërthimet. Zona ku ndodhi sulmi quhet Reni dhe është vetëm 200 metra larg nga territori i Rumanisë.