Shpallja e rezultateve të zgjedhjeve të gjashtë tetorit, ka sjellë paknaqësi te shumë subjekte politike, që për këtë proces janë ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Në një përgjigje për Gazetën Express nga ky institucion kanë deklaruar se deri më tani kanë pranuar 67 ankesa.
Edhe pak orë iu ka mbetur që të ankohen të gjitha subjektet politike dhe kandidatët të cilët janë ndarë të pakënaqur nga rezultati i zgjedhjeve të gjashtë tetorit.
Afatin 24 orësh e kanë shfrytëzuar gati të gjitha partitë e koalicionet që garuan në zgjedhje.
Mulë Desku në PZAP ka bërë të ditur për Gazetën Express se deri tani janë dorëzuar 67 ankesa.
“67 ankesa janë dorëzuar. NISMA-AKR-PD ka dorëzuar një ankesë emër të partisë për votat e Serbisë , një në emër të Haxhi Shalës. LDK 14 ankesa për kandidatë. PDK 1 e ka dorëzuar, AAK asnjë. Edhe Vetëvendosje ka dorëzuar ankesaë”, ka bërë të ditur Desku.
Në rast se PZAP ua hedh poshtë ankesat, subjektet politike kanë të drejtë ankimi në Gjykatën Supreme, brenda 24 orëve.
PZAP-ja ka afat 72 orë për të vendosur mbi ankesat e subjekteve. Nëse ankesa refuzohet si e pabazuar, subjektet mund të ankohen në Gjykatën Supreme, pas së cilës nëse nuk vendoset ndryshe, KQZ-ja mund të procedojë me certifikim të rezultateve. Instanca e fundit ndërkaq mbetet Gjykata Kushtetuese.
Subjektet politike dhe kandidatët të cilët janë të pakënaqur me rezultatet përfundimtare të KQZ-së kanë të drejtë të paraqesin ankesa deri në ora 10:00 të ditës së sotme.