Ngjitja e Dinamos në elitë nuk i mjaftoi Dritan Mehmetit që të mbante detyrën në krye të stolit. Menjëherë sapo skuadra zhvilloi fazën përgatitore në Pogradec, trajneri është larguar nga detyra. Ai do të zëvendësohet nga italiani i mirënjohur Luigi Di Biggio.
Ish-lojtari i Romës dhe Interit ka arritur marrëveshjen me klubin dhe pritet vetëm zyrtarizimi i tij. Thuajse një javë më parë ai ishte në tribunë, i shoqëruar nga Igli tare, duke vëzhguar miqësoren që Dinamo luajti përballë Skënderbeut.
Ish-kapiteni i Kombëtares i ofroi Di Biagios detyrën që të nisë projektin e ri të Dinamos, me klubin që do të binjakëzohet me Manchester City-n dhe do të zhvendosë selinë në Durrës. Trajneri 52-vjeçar ka qenë shok ekipi me Taren te Brescia dhe nuk mund ta refuzonte punën me sheikët, pavarësisht se bëhet fjalë për futbollin shqiptar.
Në të kaluarën, ai ka drejtuar përfaqësuesen e 21-vjeçarëve të Italisë, u emërua përkohësisht në krye të Kombëtares A të të kaltërve dhe deri në vitin 2021 drejtoi skuadrën e Spal. Në fund të vitit 2022, kur Edy Reja u largua nga stoli i Shqipërisë, Di Biagio ishte një prej kandidatëve potencialë për drejtimin e kuqezinjve, me garën që në fund u fitua nga braziliani Sylvinho.