86 milionë paund, plus bonuse, kjo është oferta e fundit e Bayern Munich për Harry Kane. Drejtuesit e klubit gjerman kanë vendosur “vijën e kuqe”, kjo sipas Mirror, është maksimumi që mund të ofrojnë për kapitenin e Anglisë, nuk dëshirojnë të shkojnë përtej kësaj shifre. Jo vetëm kaq, Bayern ka dhe një afat tjetër, nëse Harry Kane do të transferohet në Mynih, kjo duhet të ndodhë përpara datës 18 gusht, datë në të cilën starton Bungesliga.
Kane e ka bërë pjesën e tij, nuk pranon të negociojë me asnjë klub tjetër përveç Bayern, por pengesat mbeten të njëjta, këmbëngulja e Tottenham për të mos lënë të lirë “bomberin” anglez, pavarësisht se është futur në vitin që i skadon kontrata. Në lidhje me këtë temë është përfshirë edhe trajneri i përfaqësueses angleze, Gareth Southgate:
“Fakti që mund të largohet nga Anglia nuk më shqetëson aspak, kudo që të shkojë, Harry është një futbollist i jashtëzakonshëm, do të bëjë mirë dhe do të shënojë shumë gola kudo që të shkojë. Kjo më shumë është një dilemë për lojtarin dhe për klubin, mua nuk më shqetëson”, u shpreh Southgate për The Sun. Bayern nuk po i shkojnë mirë negociatat me klubet angleze pasi një tjetër objektiv i tyre po ndërlikohet shumë, bëhet fjalë për Kyle Walker.
Sipas Bild: Man.City nuk dëshiron të privohet nga shërbimet e anësorit, për këtë arsye i kanë ofruar një kontratë të re, të ngjashme me atë që i ofron Bayern Munich, një kontratë 2-vjeçare me opsion rinovimi edhe për një tjetër vit. Pak ditë më parë palët, City dhe Bayern, zhvilluan një takim ku ranë dakord për shifrat e transferimit, 15 milionë euro, por situata me sa duket ka ndryshuar pasi Guardiola nuk dëshiron të privohet nga anësori anglez.