Zjarret në Maui të Havait e kanë rritur në 80 bilancin e të vdekurve, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë të kërkojnë nëpër banesat e shkrumbuara.
Qindra banorë të tjerë raportohen të zhdukur.
Prokurorja e Përgjithshme e Havait tha të premten se ka nisur një hetim për mënyrën se si autoritetet reaguan ndaj zjarreve shkatërruese.
“Departamenti i Prokurorit të Përgjithshëm do të kryejë një rishikim gjithëpërfshirës të vendimmarrjes gjatë dhe pas zjarreve të kësaj jave në ishujt Maui dhe Havai,” tha zyra e Prokurores së Përgjithshme Anne Lopez në një deklaratë.
Zjarret e sivjetme janë ndër fatkeqësitë natyrore më vdekjeprurëse në historinë e Havait, duke e tejkaluar bilancin e cunamit që vrau 61 njerëz të ishullit në vitin 1960, një vit pasi Havai u bë pjesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kushtet e thata, temperaturat e nxehta dhe erërat e forta nga një stuhi kalimtare shkaktuan këtë javë të paktën tre vatra zjarre, të cilat vijuan të djegin bimësinë e përflakur që ka mbuluar ishullin.
Përveç pasojave në Maui, zjarret po djegin sipërfaqe të tëra toke dhe po detyrojnë evakuimin e njerëzve nëpër botë, edhe në shtetet europiane, si Greqia, Spanja apo Portugalia.