Ligjvënësit amerikanë, të cilët të martën u kthyen nga pushimi njëmujor i verës, përballen me një numër të madh çështjesh që kanë përparësi. Me betejat që po afrohen për ndihmën e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën dhe mundësinë e fillimit të një hetimi ndaj Presidentit Joe Biden, shqetësim kryesor mbetet financimi i qeverisë amerikane për të shmangur mbylljen e pjesshme të saj më 1 tetor.
Duke marrë parasysh që fondet e qeverisë amerikane mbarojnë më 30 shtator, ka pak shanse që Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë republikane dhe Senati i kontrolluar nga demokratët të bien dakord për miratimin e një buxheti të plotë një vjeçar.
“Koha është e shkurtër dhe e vetmja mënyrë për të shmangur një mbyllje të qeverisë është bashkëpunimi dypartiak në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat. Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë shansin e tyre të parë për të treguar përkushtimin ndaj bashkëpunimit dypartiak”, tha udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy po përballet me kritika nga anëtarët konservatorë të partisë së tij për arritjen e një marrëveshjeje në fillim të këtij viti për rritjen e tavanit të borxhit. Ai ka thënë se duhet të miratohet një projektligj afatshkurtër për ta mbajtur qeverinë të hapur për t’i dhënë republikanëve më shumë kohë për të negociuar nivelet e shpenzimeve qeveritare.
“Ata po përballen me negociata dhe debate të vështira brenda partisë së tyre. Kjo është në të vërtetë një sfidë e vështirë. Dhe nuk e di nëse kjo është shenjë e një mosfunksionimi afatgjatë. Mendoj se kjo është pasojë e shumicës shumë të vogël të republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve”, thotë Michael Thorning nga Qendra e Politikave Dypartiake.
Ligjvënësit amerikanë do të debatojnë edhe për një fond shtesë prej 40 miliardë dollarësh të njoftuar nga administrata Biden gjatë pushimeve verore, i cili përfshin 21 miliardë dollarë ndihmë ushtarake dhe humanitare për Ukrainën. Disa ligjvënës konservatorë kanë kërcënuar ta bllokojnë ndihmën për Ukrainën.
“Sigurisht që jam i shqetësuar se ka një ftohje nga republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve për mbështetjen e Ukrainës. Kjo është koha më e keqe e mundshme për të sugjeruar se ka një përçarje në Shtetet e Bashkuara lidhur me vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën ndërsa ajo po bënë përparim në fushën e betejës”, tha senatori demokrat Chris Murphy.
Vëmendja është përqëndruar tek udhëheqësi i pakicës në Senat, republikani Mitch McConnell, i cili është një mbështetës i madh i ndihmës së Shteteve të Bashkuara për Ukrainën, pasi ai pati një shqetësim tjetër shëndetësor gjatë pushimit të verës. Ai u bllokua gjatë një konference shtypi në Kentaki. Por, zoti McConnell minimizoi shqetësimet për shëndetin e tij të martën gjatë një fjalimi në Senat.
“Pata një moment të veçantë gjatë kohës që isha në shtetin tim, që ka tërhequr vëmendjen e shtypit javën e kaluar, por ju siguroj që gushti ishte një muaj i ngarkuar dhe produktiv për mua”, tha ai.
Mjeku i Senatit amerikan tha se nuk ka asnjë provë se një goditje në tru ose një bllokim neurologjik shkaktoi ngrirjen e zotit McConnell. Shumica e republikanëve të Senatit thonë se janë ende të sigurt në aftësinë e tij për të udhëhequr.
“Nuk e di nëse dikush ka përgjegjësi të publikojë të gjitha dokumentet e tij mjekësore, por ne e shohim udhëheqësin tonë se si është në gjendje të menaxhojë grupin tonë. Dhe është shumë e qartë se ai ka qenë në gjendje të mbledhë fonde, të ndihmojë njerëzit të fitojnë zgjedhjet, të na drejtojë në çështje të rëndësishme të politikës”, tha senatori republikan Mit Romney.
Ligjvënësit amerikanë do të debatojnë gjithashtu për autorizimin masiv vjetor të Mbrojtjes Kombëtare, pas përplasjeve mbi versionet konkurruese të legjislacionit prej 886 miliardë dollarësh në fillim të kësaj vere.