Ministrat e Jashtëm të Grupit të Shtatë (Kanada, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe SHBA) dhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian kanë dënuar organizimin e zgjedhjeve të rreme të mbajtura nga Rusia në territoret e pushtuara ukrainase.
“Këto ‘zgjedhje’ të rreme janë një shkelje e mëtejshme e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe të Kartës së OKB-së.
Rusia nuk ka asnjë bazë legjitime për ndonjë veprim të tillë në territorin e Ukrainës. Zgjedhjet e manipuluara janë një ushtrim propagandistik që synon legjitimimin e pushtimit të paligjshëm të territorit ukrainas nga Rusia”, thuhet në deklaratën e publikuar në faqen e internetit të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Ministrat e Jashtëm bënë të ditur gjithashtu se “Donetsk, Kherson, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Krimea janë pjesë e Ukrainës. Ne kurrë nuk do t’i njohim pretendimet e paligjshme të Rusisë për territorin sovran të Ukrainës dhe u bëjmë thirrje të gjitha shteteve që t’i refuzojnë ato pa mëdyshje”.
Ata i quajtën zgjedhjet përpjekje të Rusisë “për të krijuar situatën e faktit të kryer”, duke shtuar se masa “nuk do të ndryshonte qasjen e tyre dhe as mbështetjen e tyre ndaj Ukrainës ndërsa ajo lufton për të rimarrë territorin e saj të njohur ndërkombëtarisht”.
“Ne do të qëndrojmë me popullin ukrainas dhe do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen financiare, humanitare, të sigurisë dhe diplomatike që kërkon Ukraina për aq kohë sa të duhet”, përfundon deklarata, transmeton CNN.
Zyrtarët e instaluar nga Kremlini zhvilluan ato që ata i përshkruan si “zgjedhje lokale” në rajonet e pushtuara, një proces që zyrtarët ukrainas e kanë përshkruar gjithashtu si një mashtrim dhe një veprim propagandistik.