Teksa sot PD njoftoi se postin e kreut të grupit parlamentar të PD-së, Lulzim Basha ia kishte deleguar deputetes Flutura Açka, vjen një reagim nga Edi Paloka. Paloka tha se grupimi që ai përfaqëson nuk e njeh Açkën si kryetare grupi, por Gazment Bardhin.
Madje ai tha se me Bardhin nuk i kishin mbyllur asnjëherë negociatat.
“Unë kam reaguar në seancën tjetër kur zonja Nikolla bëri një gafë të ngjashme, në fakt nuk mund ta quash gafë pasi është bërë me qëllim e nxitur nga Rama. Kur ne dërguan Luciano Boçi si kryetar grupi qenë pikërisht zonja Nikolla që tha se kryetarët e grupeve nuk i zgjedhin partitë por grupet parlamentare. Mbi të gjitha është grupi. Me rregulloren e parlamentit është grupi që përcakton se kush është kryetari i tij. Është loja e Ramës, loja e Bashës.
Ramës i intereson të ketë një opozitë kukull sic është ajo e Bashës dhe Alibeajt. Nëse arrin ta kalojë këtë moment pra ta quajë Bashën kryetari grupit të PD-së i leverdis se do të thotë e kam opozitën. Ju ka dalë boja, është bërë dhe qesharak. Ka vajtur i ka thënë zotit Bardhi nuk e di kush e ka çuar atë shkresë ndërkohë që e ka firmosur vetë. Grupi parlamentar i PD-së është ai që ka dalë nga zgjedhjet. Zonja Nikolla nuk ka deklaruar Flutura Açkën si kryetare grupi, ka lexuar një shkresë që i ka ardhur. Nuk ka dhënë një përgjigje definitive për këtë çështje dhe fakti është që deri më sot vazhdon të jetë Gazment Bardhi kryetar grupi.”, tha Paloka.