Britania e Madhe i është bashkuar thirrjes së Bashkimit Evropian që Kosova dhe Serbia të angazhohen në gjetjen e një plani për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit/Ohrit për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve pa vonesa dhe në mënyrë konstruktive.
“Mbretëria e Bashkuar qëndron pas këtij apeli të qartë nga 27 vendet e BE-së që Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të sinqertë pa vonesa të mëtejshme”, thuhet në reagimin e ambasadës britanike në platformë X.
Paraprakisht, Bashkimi Evropian përmes një deklarate për media ka shprehur shqetësimin për mungesën e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit nga Kosova dhe Serbia edhe pse të dyja vendet kanë rënë dakord për pikat, derisa i ka dhënë “mbështetje të plotë”, përfaqësuesit special Miroslav Lajçak, pas akuzave të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për anshmërinë e tij në proces.
“BE-ja shpreh mbështetjen e plotë për përpjekjet e Përfaqësuesit të Lartë Josep Borrell në cilësinë e Lehtësuesit të Dialogut Beograd-Prishtinë, si dhe Përfaqësuesit Special të BE-së Miroslav Lajcak, dhe u kujton palëve se rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë kalon nëpër dialog të lehtësuar nga BE-ja dhe nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Të dy rrezikojnë të humbasin mundësitë për të përparuar në rrugët e tyre evropiane”, thuhet në reagim.
Në reagim BE-ja po ashtu u kërkon palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim për fillimin e zbatimit bazuar në Propozimin e BE-së pa vonesa të mëtejshme, i cili gjithashtu përfshin detyrimin e të dyja palëve për të zbatuar plotësisht të gjitha marrëveshjet e dialogut të kaluar.
“Puna për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm. BE-ja u kujton palëve përgjegjësinë e tyre për të respektuar parimin e konfidencialitetit në dialog, i cili është një komponent kyç i çdo procesi negociator të ndjeshëm politik”.