Rexhep Tajip Erdogan, duke vizituar enklavën azere të Nakhçivanit, festoi “fitoren” e Azerbajxhanit në Nagorno-Karabakh, një fitore që, sipas presidentit turk, krijon “mundësi të reja për normalizimin e situatës në rajon”.
“Është një burim krenarie për Turqinë që të shohë operacionet anti-terroriste të Azerbajxhanit të përfunduara me sukses në një periudhë të shkurtër kohore dhe po respekton të drejtat e civilëve,” u tha presidenti turk gazetarëve së bashku me homologun e tij azerbajxhanas Ilhan Aliyev.
“Me këtë fitore hapen dritare të reja mundësish për normalizimin e përgjithshëm në rajon”, shtoi Erdogan.
Presidenti turk po bën një vizitë njëditore në enklavën e Nakhiçevanit, e cila ndodhet midis Armenisë dhe Iranit dhe kufizohet me Turqinë.
Ai u prit nga presidenti Aliyev disa ditë pasi Azerbajxhani mori kontrollin ushtarak të Nagorno-Karabakut.
“Ne shpresojmë që Armenia do të shtrëngojë dorën e paqes që i është shtrirë asaj”, theksoi Erdogan.
Nga ana e tij, Aliyev theksoi se të drejtat e armenëve të Nagorno-Karabakut janë “të garantuara”. “Banorët e Nagorno-Karabakut, pavarësisht nga përkatësia etnike, janë shtetas të Azerbajxhanit. Të drejtat e tyre do të garantohen nga shteti i Azerbajxhanit”, tha ai.
Zyrtarisht, takimi i dy liderëve do të shënonte fillimin zyrtar të ndërtimit të një tubacioni gazi natyror 85 kilometra midis Turqisë lindore dhe Nakhçivanit dhe përurimin e një kompleksi ushtarak.
Megjithatë, sipas mediave turke, do të diskutohet edhe për hapjen e korridorit Zangezur, i cili do të lidhë enklavën e Nakhçivanit me Azerbajxhanin përmes Armenisë.
Hapja e Korridorit Zangezur, përgjatë kufirit armen me Iranin, do t’i lejojë Bakut të krijojë vazhdimësi territoriale deri në Nakhçivan dhe, përtej kësaj, me Turqinë.
Kjo prani e forces turke në Azerbajxhan, në mes të krizës së Nagorno-Karabakh, vjen pasi Rusia u tërhoq nga rajoni.