Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në eventin “Safe stay in Albania” u shpreh se Shqipëria është në Champions League-n e turizmit. Rama shtoi se Shqipëria ka përfituar vitin e kaluar 4.2 miliardë euro dhe se paratë kanë shkuar tek familjet shqiptare. Ai gjithashtu shtoi se duhet të konsolidojmë pozicionin tonë dhe të jemi gjithmonë e më konkurrues.
“Ne kemi përfituar nga turizmi vitin e kaluar 4.2 miliardë euro. Këto para kanë shkuar tek familjet shqiptare. Është rritur numri i familjeve në qytete bregdetare, që japin me qira apartamentet e tyre. Shumë turistë iu drejtohen shtëpive. Kjo është një para që nuk është prekur asnjë cent e shkon tek familjet. Nuk është ky momenti që familjet të cenohen me taksa.
Këto janë të ardhura të jashtëzakonshme për Shqipërinë. Djemtë dhe vajzat në Shqipëri kanë taksa më të ulëta sesa në Greqi. Kemi hyrë në Champions League-n e turizmit. Ne kemi hyrë në Champions League, por duhet që të qëndrojmë aty. Ne duhet ta konsolidojmë pozicionin tonë dhe të jemi gjithmonë e më konkurrues”, deklaroi Rama.
Më tej kryeministri nuk është ndalur me batutat e tij teksa është shprehur se Zoti kur bëri Shqipërinë e bëri ditën e diel kur ishte pushim. Ai gjithashtu shtoi se Zoti kur bëri shqiptarët ka qenë shumë i zënë dhe në një moment stresi. Rama tha se nga ai moment stresi shqiptarët dolën të jashtëzakohshëm.
“Ne jemi vend i vogël, por kemi një bekim shumë të madh. Zoti kur bëri Shqipërinë e bëri ditën e diel kur ishte pushim. në 28 mijë km2 ka futur çdo gjë, dy dete, 9 lumenj, male, lugina fantastike, pasuri nëntokësore, çdo gjë që mundshme dhe të imagjinueshme për ta patur në një distancë shumë të shkurtër, zoti e ka futur në hartën e Shqipërisë.
Nuk e di çfarë intensiteti pune ka patur kur bëri shqiptarët, por kur bëri Shqipërinë ishte e diel dhe e kishte pushim. Kur bëri shqiptarët ka qenë shumë i zënë me siguri dhe në një moment stresi ka nxjerrë shqiptarët. Dhe nga ai moment stresi shqiptarët dolë aq sa të jashtëzakohshëm kur janë vetëm dhe kur janë përballë një sfide ku nuk kanë kujt t’i drejtohen tjetër veç forcave të veta si individë, hidhi ku të duash, aq edhe të jashtëzakonshëm pastaj për t’u ngrënë me njëri-tjetrin“, u shpreh Rama.