Gazetari Mentor Kikia e ka pyetur kreun e ri te grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshin lidhur me një teori konspirative që qarkullon për largimin e tij të njoftuar në Kongresin e PS.
Sipas kësaj teorie që solli Kikia, thuhet se kryeministri Rama e largoi Peleshin nga detyra si ministër për shkak të mosfirmosjes nga ana e tij për kthimin e një sipërfaqeje në pronësi të ushtrisë, në një projekt koncensionar.
Në përgjigjen e tij, kreu i ri i grupit parlamentar hodhi poshtë spekulimet dhe tha se ndryshime të tilla nuk vijnë si pasojë e ndonjë debati mes tij dhe kolegëve të tij në parti.
Gazetari Kikia: Nuk besoj që Rama kishte probleme me kontrolline qverisë dhe hoqi disa problematikë. Nuk e di nëse zoti Peleshi mund t’i përgjigjet pyetjes që qarkullon në publik se zoti Peleshi nuk ka pranuar të firmos për ca prona të ushtrisë për projekte ekonomike koncensionare.
Niko Peleshi: Nuk është e vërtetë fare.
Gazetari Kikia: Dakord nuk është e vërtetë e mbyllim këtë histori.
Niko Peleshi: Kjo është tërësisht spekulative, nuk është e vërtetë, jo për mua po besoj edhe për kolegët e tjerë. Nuk ka patur ndonjë tension brenda qeverisë dhe këto ndryshime nuk kanë ardhur si pasojë e ndonjë kontraksioni. Janë ndryshime që morën shpjegim në kongres, por edhe në mbledhjen e grupit parlamentar.
Peleshi është shprehur se anëtarët e kabinetit qeveritar kanë bërë një marrëveshje me kryeministrin Edi Rama për të qenë në dispozicion për detyra të ndryshme ku i nevojiten partisë.
Ai tha se kur je pjesë e kabinetit qeveritar dhe lëviz nga një ministri në tjetrën, nuk është e nevojshme që kryeministri Rama të lajmërojë më herët ndryshimet.
“Ne jemi për hapje, por nuk jemi dakord kur hapet qeveria. Kur lëviz një ministër, themi pse e hoqëm. Ne që u bëmë të vjetër në politikë tani, ne e kemi bërë këtë marrëveshje që në fillim me partinë dhe kryetarin e partisë. Ne jemi në dispozicion të vendimmarrjes së partisë aty ku ka nevojë atdheu thoshim qëmoti.
Nëse do të ishte një shkarkim, patjetër që duhet të kishte një shpjegim. Nëse më pyesni për zotin Mete, di që nuk është hequr fare edhe ai, mbase do të lëvizë diku tjetër. Nuk është largim, nuk është përjashtim nga kabineti. Është një lëvizje brenda kabinetit”, tha Peleshi.
Ish-ministri i Mbrojtjes, u shpreh se nuk ishte në dijeni të faktit që Rama do bënte ndryshime në kabinetin qeveritar, për të cilat, sipas tij, askush nuk duhej të befasohej.
“Largimin nga kabineti nuk e kisha si informacion, por më duket si çudi që komentohet si surprizë, sepse kjo është politika. Leximi i mimikave të fytyrave më duket një lojë. Do ishte budallallëk që një ministër të mendojë se do jetë i përjetshëm në një post. Nuk besoj se duhen lexuar si një befasi” –tha ish-ministri.