Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar sot në Turqi presidentin e Sirisë, Ahmed al Sharaa, me të cilin kanë biseduar për hapjen e kapitujve të ri të bashkëpunimit.
Osmani, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Kosova dhe Siria ndajnë plagë të njëjta.
“Populli i Kosovës dhe populli i Sirisë kanë përjetuar vuajtje të panumërta nga regjime diktatoriale e gjenocidale, në luftën e tyre për të qenë të lirë”, ka shkruar Osmani.
Tutje Osmani ka thënë, “Sot, me Presidentin e Sirisë së lirë, z.Ahmed al Sharaa, kishim takimin tonë të parë për të hapur kapituj të ri bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve tona”.
“Kosova dhe Siria ndajnë plagë të njëjta: dhimbjen e luftës, shpërnguljen, e sfidat e rindërtimit, ndaj Kosova është e gatshme ta ndajë përvojën e saj në ndërtimin e institucioneve demokratike”, ka shkruar Osmani.
Presidentja e cila po qëndron në Turqi në kuadër të Forumit Diplomatik të Antalias, ka takuar sot edhe presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.