Çmimi i kriptomonedhës së Donald Trump ka shënuar një rritje të ndjeshme pasi presidenti amerikan premtoi organizimin e dy eventeve speciale për investitorët më të mëdhenj të saj, njofton BBC Newsm transmeton KosovaPress.
Faqja zyrtare e monedhës $Trump – një monedhë meme – njofton se 220 zotëruesit më të mëdhenj do të ftohen në një darkë gala private me presidentin më 22 maj, të cilës i referohet si “FTESA më EKSKLUZIVE në botë”.
Sipas platformës së tregtimit të kriptove Coinbase, vlera e $Trump u rrit me mbi 70% pas njoftimit. Megjithatë, ajo mbetet shumë poshtë rekordit të saj prej mbi 74 dollarësh, të arritur menjëherë pas lançimit në janar.
Kjo kriptomonedhë është një nga disa iniciativat të lidhura me botën e kriptove të nisura nga biznese të afërta me Trump, i cili e ka cilësuar veten si “presidenti i kriptos”. Përveç darkës gala, që do të zhvillohet në Klubin Nacional të Golfit “Trump” në Washington DC, faqja zyrtare njofton edhe për një “pritje VIP ultra-ekskluzive private me Presidentin” për 25 mbajtësit kryesorë të monedhës.
Tokenët $Trump në qarkullim kanë aktualisht një vlerë totale rreth 2.5 miliardë dollarë. Ata u lançuan pak ditë para inaugurimit të Trump më 20 janar.
Kjo lëvizje është kritikuar nga disa figura të industrisë së kriptove, të cilët e kanë quajtur “një show mediatik”. Edhe Zonja e Parë, Melania Trump, lançoi një kriptomonedhë në prag të inaugurimit.
Meme coin-at përdoren shpesh nga spekulatorët për të gjeneruar fitime ose për të shprehur mbështetje ndaj një personazhi publik apo një momenti në kulturën e internetit.
Pak pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë këtë vit, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për krijimin e një grupi pune presidencial për të propozuar ligje dhe rregullore të reja për kriptovalutat.
Ai ka nënshkruar gjithashtu një urdhër për krijimin e një Rezerve Strategjike të Bitcoin-it si dhe një Stok Digjital të Pasurive, që do të përfshijë edhe monedha të tjera digjitale.
Këto fonde do të furnizohen me kriptomonedha të konfiskuara nga qeveria federale si pjesë e procedurave penale ose civile, shkruan BBC News.
Këtë javë, kompania mediatike e Trump-it njoftoi planet për lançimin e fondeve të tregtuara në bursë (ETFs).
Këto produkte financiare, që do të lançohen nga Trump Media & Technology Group – pronari i platformës Truth Social – dhe partnerët e saj, do të përfshijnë pasuri digjitale si dhe aksione me fokus “Made in America”.
ETF-të janë fonde investimi që mbajnë pasuri të ndryshme dhe mund të blihen e shiten njësoj si aksionet.