Qeveria shqiptare publikoi sot një sërë vendimesh të rëndësishme, një prej të cilave edhe miratimi në parim i marrëveshjes me Poloninë për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.
Në vendim thuhet se “në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr. 43/2016, ‘Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë’, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave vendosi miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Polonisë, për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi”. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Shqipëria dhe Polonia kanë një miqësi të hershme dhe marrëdhëniet dypalëshe kanë ardhur duke u fuqizuar. Bashkëpunimi është shtrirë veçanërisht në fushat e ekonomisë, mbrojtjes e sigurisë, turizmit, arsimit, bashkëpunimit policor, infrastrukturës, transportit, teknologjisë së informacionit, bujqësisë etj.