Depërtimi i një numri të konsiderueshëm dronësh rusë mbi Poloni, javën e kaluar, ka përqendruar vëmendjen e NATO-s sidomos mbi çështjen e vështirë se ku i vendos ajo “vijat e kuqe” – në ndërkohë që një tjetër shkelje e tillë ndodhi gjatë fundjavës.
Të mërkurën e kaluar, u zbulua se 19 dronë rusë kishin kaluar në hapësirën ajrore polake, disa prej të cilëve kishin përshkuar qindra kilometra në brendësi të territorit – përpara se disa të rrëzoheshin nga forcat ajrore lokale dhe të NATO-s. Kjo shënoi një përshkallëzim shqetësues të tensioneve mes Rusisë dhe Evropës, duke e shtyrë kryeministrin polak të deklarojë se konflikti ushtarak në kontinent është “më afër se kurrë më parë – që nga Lufta e Dytë Botërore”.
Të shtunën – vetëm disa ditë më vonë – një tjetër dron shkeli hapësirën ajrore të Rumanisë, duke larguar çdo dyshim të mbetur se Vladimir Putini po e teston vendosmërinë e Evropës. Dy aeroplanë rumunë F-16 u dërguan për të ndjekur mjetin ushtarak për rreth një orë, por nuk e rrëzuan atë, duke e lënë të kthehej në Ukrainë për të shkaktuar shkatërrime atje.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se kjo shkelje nuk mund të paraqesë ndonjë gabim dhe se ishte “zgjerim i qartë i luftës nga Rusia”. Kaja Kallas, shefja për politikën e Jashtme të BE-së, e quajti incidentin “edhe një shkelje tjetër të papranueshme të sovranitetit të një shteti anëtar të BE-së”. Mbretëria e Bashkuar që atëherë ka thirrur ambasadorin rus për të shpjeguar veprimet e vendit të tij.
Rusia tha se dronët e saj dolën nga kursi sepse kishin probleme. Për momentin, NATO e ka kufizuar përgjigjen e saj në “dënimin pa rezerva të këtyre veprimeve të pamatura”. Pra, çfarë do të duhej që një anëtar të aktivizonte Nenin 5, i cili parashikon që një “sulm i armatosur kundër njërit” anëtar të NATO-s “do të konsiderohet si sulm kundër të gjithëve”?
Si përgjigje ndaj provokimeve të Rusisë me dronë, ka filluar “Roja Lindore” që përfshin vendosjen e pajisjeve përgjatë kufirit të NATO-s me Bjellorusinë, Rusinë dhe Ukrainën – për të penguar agresionin e mundshëm rus.
Por, si mendon NATO të veprojë në të ardhmen, kjo ende nuk është e qartë. Ka shumë diskutime për vija të reja të kuqe për të frenuar agresionin rus. Por, të gjithë e dinë se vijat në rërë priren të zhduken – sidomos ato të Putinit.
Kush mund të harrojë se si presidenti Obama vendosi një vijë të kuqe në Siri, 13 vjet më parë? Sigurisht që presidenti rus e mban mend çfarë ndodhi. Shtëpia e Bardhë kërcënoi me pasoja “të rënda”, por jo të specifikuara, nëse regjimi i Assadit do të përdorte armë kimike apo biologjike. Kur kjo ndodhi, Amerika dhe aleatët e saj u tërhoqën, duke u mbështetur te Rusia për të zbutur krizën përmes organizimit të transportimit jashtë vendit të rezervave të armëve të shkatërrimit në masë të Sirisë, por duke e lënë Assadin në pushtet deri në dhjetor të vitit të kaluar.
Këtë herë, me një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj vendeve anëtare të NATO-s, si Polonia dhe Rumania, Perëndimi mund të jetë duke u përgatitur për të mbështetur me veprim fjalët e forta mbi vijën e kuqe. Jo më me sy të mbyllur ndaj dronëve apo raketave lundruese që “humbasin rrugën” përtej kufijve. Ndoshta edhe rrëzimet parandaluese, të kërcënimeve të mundshme që afrohen përmes vendeve joanëtare të NATO-s, si Ukraina apo Bjellorusia, ose – në rastin e Rumanisë – përmes Detit të Zi.
Një kthesë më e ashpër, pas më shumë se tre vjet e gjysmë kujdesi dhe shmangieje të provokimeve nga ana e NATO-s, do t’i japë siguri vendeve lindore anëtare të aleancës. Por, në mënyrë paradoksale, Putini mund ta mirëpresë në fakt vendosjen e një vije të kuqe të trashë përgjatë krahut lindor të NATO-s.
Mposhtja e Ukrainës mbetet prioriteti i Kremlinit. Dobësimi i moralit ukrainas, si mes civilëve ashtu edhe ushtarëve, është çelësi për shanset e Rusisë për të arritur qëllimet e saj – veçanërisht minimumin strategjik për të vendosur kontroll të fortë mbi Ukrainën në lindje të lumit Dnjepër.
Ironia e një qëndrimi të përforcuar të NATO-s përgjatë kufirit të saj është se e largon çdo paqartësi mbi vendndodhjen e Ukrainës: në tokë të askujt.
Duke pasur parasysh ngurrimin e presidentit amerikan Donald Trump dhe të sekretarit të tij të Luftës, Pete Hegseth, për të deklaruar qartë se ushtria amerikane do të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s – një përkufizim i fortë i asaj që Aleanca do të bëjë për të mbrojtur anëtarët e saj dhe se ku do ta bëjë këtë – kjo padyshim që do t’u jepte vendeve lindore një siguri.
Por, pikërisht për këtë arsye, një vijë e qartë e kuqe në kufirin perëndimor të Ukrainës mund të shkaktojë ndjenjën e braktisjes brenda Ukrainës. Ashtu si Republika Spanjolle në vitet ’30 të shekullit XX, mbrojtja e vendosur e Ukrainës kundër një armiku dukshëm më të fortë, i mbështetur nga fuqi të huaja (atëherë Gjermania dhe Italia, tani Kina dhe Irani), është mbajtur gjallë nga shpresa se rezistenca e saj e suksesshme do të çonte në një kundërndërhyrje nga demokracitë perëndimore për të vendosur fatin e betejës.
Vija e kuqe mund të jetë për ukrainasit një goditje pas shpine – një ndjenjë se Perëndimi do t’i subvencionojë ata të luftojnë dhe të vdesin, por jo të fitojnë. Dobësimi i ushtrisë dhe ekonomisë së Rusisë përmes një lufte me ndërmjetës mund të ketë kuptim në Uashington. Republikanët, si senatori Lindsey Graham, janë mburrur se sa rusë kanë vdekur pa humbjen e asnjë ushtari amerikan. Por, nëse ushtarët ukrainas ndiejnë se qëllimi i vërtetë i luftës nuk përputhet me arsyet e tyre për të luftuar në mbrojtje të vendit të tyre, atëherë kjo mund ta minojë atë qëllim.
Një vijë e kuqe e NATO-s që mbulon Ukrainën perëndimore – të paktën duke krijuar një zonë të sigurt për miliona ukrainas dhe industrinë në Perëndim të vendit, dhe duke siguruar rrugën përgjatë bregdetit rumun të Detit të Zi deri në portet ukrainase në Jugperëndim – do të forconte moralin ukrainas dhe do të frenonte agresionin rus drejt Perëndimit nga zona aktuale e luftimeve. Kjo mund ta frenojë Putinin pa nxitur një luftë të plotë mes Rusisë dhe NATO-s, të cilën përkrahësit e një zone të ndalim-fluturimeve mbi të gjithë Ukrainën duket se janë të gatshëm ta rrezikojnë lehtësisht.
Cilado “vijë e kuqe” që vendoset, dhe kudo që ndodhet në hartë, duhet të mbështetet plotësisht. Nëse Putini mund ta testojë dhe ta gjejë të pavlefshme, situata do të bëhet shumë më e keqe sesa ajo e tanishmja që NATO përjeton në frontin e saj lindor. /Telegrafi/