Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur aktgjykimin e plotë për procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se ky proces ka ngecur për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb. Sipas aktgjykimit, Gjykata ka urdhëruar deputetët që brenda 12 ditëve të kryejnë konstituimin e Kuvendit.
Në vendim, Gjykata Kushtetuese ka theksuar se deputetët duhet të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues gjatë procesit të zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, në pajtim me Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit.
Gjykata ka rikujtuar se nga “dispozitat kushtetuese dhe praktika gjyqësore nuk ka ndonjë obligim për deputetët që të votojnë për nënkryetarët në një paketë, por kjo mund të ndodhë vetëm nëse ka dakordim mes grupeve parlamentare”.
“Bazuar në praktikën parlamentare për zgjedhjen e nënkryetarëve nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë që nga viti 2011, nënkryetarët nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, janë votuar dhe zgjedhur në pako. Kësisoj, Gjykata vlerëson që një procedurë e tillë e votimit mbetet në vullnetin e deputetëve dhe grupeve parlamentare me kushtin që të realizohet zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ky vendim ka ardhur pas disa muajve të ngërçit politik që ka bllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit, pas ankesave nga Lista Serbe lidhur me procedurën e votimit të nënkryetarëve nga radhët e pakicave.
Në këtë mënyrë, Gjykata Kushtetuese ka kërkuar që të zgjidhet problemi dhe Kuvendi të konstituohet brenda afatit të caktuar, për të mundësuar funksionimin e plote të institucioneve të Kosovës.