Sot (17 tetor) në Tiranë do të mbahet Protesta Gjithëkombëtare “Unë jam UÇK” për të denoncuar procesin gjyqësor që po mbahet në Hagë kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe disa ish-kryeparlamentarë të vendit, të akuzuar se kanë kryer krime lufte.
E parashikuar për orën 17:00, protesta e madhe e iniciuar nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së vjen në vijim të atyre të mbajtura në gusht në Prishtinë dhe në shtator para Dhomave të Specializuara, në Hagë.
Ndërkohë në pikën kufitare të Morinës dhe Rrugën e Kombit kanë nisur lëvizjet e para të qytetarëve që do i bashkohen protestës së kësaj të premte.
Po ashtu, qytetarë të shumtë nga Kukësi janë nisur drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës në mbështetje të UÇK-së.
“Sot nga Kukësi më shumë po largohen, po mësyjnë drejt Tiranës për shkak të protestës që sot në orën 17:00 do jetë në sheshin “Skëndërbej”. “Unë jam UÇK, drejtësi për liri”, kjo është dhe motoja e protestës mbarëkombëtare që do mbahet në Tiranë. Që në orët e paratë mëngjesit ka fluks lëvizjesh në Rrugën e Kombit dhe pikën kufitare të Morinës. Në këtë rast duhet thënë se trau në tunelin e Kalimashit do jetë pa pagesë pikërisht për protestën. Në pikën kufitare të Morinës, lëvizjet do jenë pa kontrolle. Kanë nisur që në orët e para të mëngjesit lëvizjet.
Pritet të ketë organizime përsa i përket kalimeve përgjatë ditës. Do jetë ditë e dyndur siç parashikohet në pikën kufitare të Morinit.
Është mirëpritur nga gjithë qytetarët fakti që nuk do ketë kontrolle në pikën kufitare të Morinës. Vetëm gjatë këtij muaji do jetë procedura me kontrolle në hyrje/dalje deri në fund të tetorit dhe më pas do rikthehet marrëveshja për të kaluar pa kontrolle në këtë pikë kufitare”, deklaroi Gërmizi.
Një ditë më parë, Organizata e Veteranëve të Luftës me një postim në rrjetin spocial Facebook deklaroi se kjo protestë është zëri i popullit shqiptar dhe i asnjë partie politike.
“Kjo protestë nuk është e asnjë partie politike – ajo është zëri i popullit shqiptar, zëri i veteranëve, i familjeve të dëshmorëve dhe i të gjithë atyre që nuk pajtohen me padrejtësinë që po bëhet ndaj udhëheqësve të UÇK-së në Hagë,” shkroi Organizata e Veteranëve të Luftës.
Protesta në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë do nisë në orën 17:00, ku do të marrin pjesë figura të rëndësishme politike, si ish-presidenti Alfred Moisiu dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Në mbështetje, do të ketë edhe nga rektorë universitetesh, tifozët “Kuq e Zi”, si dhe nga shumë qytetarë e shoqata në Kosovë e Shqipëri. Qëllimi i protestës është shprehja e solidaritetit me ish-krerët e UÇK-së që po përballen me drejtësinë ndërkombëtare, dhe kundërshtimi i asaj që e konsiderojnë padrejtësi në proceset gjyqësore në Hagë.
Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë dhe ndaj tyre po zhvillohet procesi gjyqësor.
Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt i kanë mohuar. Protesta