Të dielën në mesnatë është përmbyllur afati për aplikim të subjekteve politike që pritet të garojnë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 28 dhjetor 2025. 24 subjekte politike kanë aplikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Edhe pse afati ishte hapur prej 24 nëntorit, thuajse të gjitha subjektet politike paraqitën aplikimin e tyre online në ditën e fundit, më 30 nëntor. Ndërkohë, në të njëjtën kohë partitë politike duhej të njoftonin KQZ-në për formim të koalicioneve zyrtare.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar se numri i përgjithshëm i subjekteve politike që pritet të garojnë në zgjedhjet e fund dhjetorit është 24.
Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit të këtij viti, KQZ kishte certifikuar 28 subjekte garuese.
“Është përmbyllur afati për subjektet politike për aplikim për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhje dhe deklarim të koalicioneve nga ana e partive politike. Gjatë kësaj periudhe 7-ditore (24 nëntor – 30 nëntor 2025) 23 subjekte politike, prej të cilave: 3 koalicione, 18 parti politike, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur – kanë plotësuar online formularin e certikimit për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Paralelisht me aplikimin për certifikim, është zhvilluar edhe afati për deklarim të partive politike për formim të koalicioneve”, njoftoi Elezi.
Sipas të dhënave të KQZ-së, katër prej partive kryesore Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, kanë vendosur të hyjnë pa koalicione zyrtare në garën zgjedhore të 28 dhjetorit, ndërkaq Lëvizja Vetëvendosje ka formalizuar koalicionin me tri parti politike: GUXO, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane.
Të gjitha këto subjekte politike aplikuese do të duhet që brenda një jave të dorëzojnë online listën me emrat e kandidatëve për deputetë, me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Deri më 7 dhjetor 2025, subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetareve dhe kandidatët e pavarur) që kanë aplikuar për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhje, duhet të dorëzojnë përmes platformës listën e tyre me emrat e kandidatëve për deputetë të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, tha Elezi.
LISTA E TË GJITHA SUBJEKTEVE POLITIKE APLIKUESE
Partitë politike:
1. Lidhja Demokratike e Kosovës – LDK;
2. Partia Demokratike e Kosovës – PDK:
3. Kosovaki Nevi Romani Partia;
4. JEDINSTVENA GORANSKA PARTIJA;
5. Za Slobodu Pravdu i Opstanak;
6. KOSOVA DEMOKRATIK TÜRK PARTISI;
7. PARTIA LIBERALE EGJIPTIANE;
8. PARTIA ROME E BASHKUAR E KOSOVËS;
9. SOCIALDEMOKRATSKA UNIJA – SDU;
10. Srpska Lista;
11. INICIATIVA E RE DEMOKRATIKE E KOSOVËS;
12. FJALA;
13. NOVA DEMOKRATSKA STRANKA – NDS;
14. LËVIZJA PËRPARIMTARE E ROMËVE TË KOSOVËS (LPRK);
15. ALEANCA PËR ARDHMËRINË E KOSOVËS (AAK);
16. KOSOVSKI SAVEZ;
17. NISMA SOCIALDEMOKRATE – NISMA; dhe
18. PARTIA BALLI KOMBËTAR DEMOKRAT SHQIPTAR (PBKDSH).
Koalicionet:
1. Koalicioni “PAI – PDAK – LPB”, i përbërë nga 3 parti politike: Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës (PDAK) dhe Lëvizja për Bashkëveprim (LPB)”;
2. Koalicioni “Koalicija VAKAT”, i përbërë nga 3 parti politike: Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB), Bošnjačka Stranka Kosova (BSK) dhe Demokratska Stranka Vatan (DSV); dhe
3. Koalicioni “Lëvizja VETËVENDOSJE!”, i përbërë nga 4 partitë politike: Lëvizja VETËVENDOSJE!, GUXO, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane (PSHDK).
Iniciativat qytetare:
1. PËR SOCIALDEMOKRATËT E ASHKALINJËVE; dhe
2. INICIATIVA QYTETARE PËR KOSOVË.
Kandidat i pavarur:
1. NEDŹMIDIN SEJDILAR./KP
