Ambasada Gjermane Tiranë ka reaguar menjëherë pas vendimit të sotëm të Kuvendit që votoi kundër kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Në një postim në rrjetet sociale, ambasada thekson se kusht i domosdoshëm për të bërë progres me integrimin, është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë.
“Lidhur me vendimin e sotëm të Parlamentit shqiptar rreth heqjes së imunitetit Ambasada Gjermane deklaron: Gjermania mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian në përputhje me dëshirën e shqiptarëve.
Kusht i domosdoshëm për të bërë progres në këtë proces të bazuar në merita është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë. Pritshmëria jonë e qartë është që edhe në këto raste ndjekja penale përmes drejtësisë të mund të realizohet shpejt dhe pa pengesa. Prej politikës shqiptare vazhdon të kërkohet ende që ta garantojë këtë proces”, shkruan ambasada gjermane në Tiranë.


