Një ngjarje tragjike ka tronditur opinionin publik, pasi një çift humbi jetën gjatë një hedhjeje me bungee nga një urë rreth 100 metra e lartë.
Sipas raportimeve, të fejuarit po kryenin një kërcim tandem kur, për arsye që po hetohen, sistemi i sigurisë dështoi. Dyshohet se u shkëputën ose u liruan kapëset që lidhnin litarin elastik me pajisjen e sigurisë, duke bërë që ata të binin në humnerë.
Mediat raportojnë se çifti kishte mbërritur pak pas orarit të mbylljes dhe kishte kërkuar të realizonte edhe një kërcim të fundit. Vetëm pak minuta më herët, një person tjetër kishte përdorur të njëjtën pajisje pa hasur probleme.
Përplasja rezultoi fatale dhe të dy ndërruan jetë në vendngjarje. Dëshmitarët thanë se ata mbetën të përqafuar gjatë rënies, një detaj prekës që i ka dhënë jehonë të madhe tragjedisë.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit dhe për të përcaktuar nëse janë respektuar të gjitha standardet e sigurisë nga organizatorët e aktivitetit.


