Një zonë në Mançester, e njohur dikur si një qendër e madhe e tregtisë së mallrave të falsifikuara, ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm dhe sot po cilësohet si “kryeqyteti i vape-ve” në Mbretërinë e Bashkuar.
Cheetham Hill, e cila për vite me radhë ishte në fokus të autoriteteve për tregtinë e produkteve të falsifikuara dhe aktivitetet kriminale, është kthyer në një destinacion të madh për shitjen me shumicë të cigareve elektronike. Në dy rrugët Harris Street dhe Overbridge Road janë hapur 51 dyqane që shesin vape, një numër që banorët e zonës e kanë quajtur “të çmendur”.
Transformimi erdhi pas Operacionit Vulcan, një aksion dyvjeçar i Policisë së Mançesterit të Madh (GMP), gjatë të cilit u mbyllën rreth 200 biznese dhe u sekuestruan 1,050 tonë mallra të falsifikuara me vlerë prej qindra milionë paundësh. Operacioni çoi gjithashtu në afro 240 arrestime.
Pas goditjes ndaj tregut të falsifikimeve, në zonë u shfaqën dhjetëra supermarkete vape, me vitrina shumëngjyrëshe dhe reklama të mëdha që tërheqin blerës nga e gjithë Britania.
Tregtarët thonë se klientë nga Bradford, Liverpul, Glasgou dhe Edinburg udhëtojnë drejt Cheetham Hill për të blerë produkte me shumicë.
Kamran Akhtar, menaxher i dyqanit The Vape Boyz, tha se numri i dyqaneve vape në zonë është “i jashtëzakonshëm”.
“Ne kemi qenë këtu prej kohësh, por kurrë nuk ka pasur kaq shumë dyqane sa tani. Njerëzit vijnë nga i gjithë veriu i Anglisë për të blerë këtu. Ky është tregu më i madh i vape-ve në Evropë dhe i lë të gjitha të tjerat pas,” u shpreh ai.
Megjithatë, rritja e shpejtë e numrit të këtyre bizneseve ka ngjallur habi te banorët dhe zyrtarët. Një ministër britanik e ka cilësuar situatën si “të çuditshme”, duke ngritur pyetje mbi përqendrimin e kaq shumë dyqaneve të të njëjtit lloj në një zonë të vetme.


