FIFA ka nisur zyrtarisht një hetim për incidentet e dhunshme që ndodhën pas fitores së Spanjës me rezultat 1-0 ndaj Argjentinës në finalen e Kupës së Botës.
Pamjet e publikuara pas ndeshjes treguan përleshje mes futbollistëve të të dyja skuadrave, ndërsa në qendër të incidenteve ishin lojtarët argjentinas Leandro Paredes dhe Nahuel Molina.
Në një prej episodeve më të tensionuara, Paredes dhe Thiago Almada e rrëzuan në tokë mesfushorin spanjoll Gavi, ndërsa më herët Paredes ishte parë duke e kapur për fyti mbrojtësin Eric Garcia.
Nga ana tjetër, Molina dukej se tentoi të godiste me grusht Rodrin, teksa mesfushori spanjoll po i bashkohej festës së bashkëlojtarëve pas përfundimit të ndeshjes.
Ndërkohë, mbrojtësi veteran i Argjentinës, Nicolas Otamendi, iu drejtua me fjalë të ashpra Rodrit, duke reaguar ndaj komenteve që mbrojtësi i Spanjës, Aymeric Laporte, kishte bërë para finales.
Në një deklaratë zyrtare, FIFA bëri të ditur se ka emëruar një Prokuror Disiplinor dhe të Etikës për të hetuar nëse ka pasur shkelje të Kodit Disiplinor të FIFA-s.
“Pas shqyrtimit të raporteve përkatëse të ndeshjes së finales së Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës, dhe në përputhje me nenin 36 të Kodit Disiplinor të FIFA-s, Komiteti Disiplinor i FIFA-s ka emëruar një Prokuror Disiplinor dhe të Etikës për të hetuar shkeljet e mundshme të Kodit Disiplinor lidhur me incidentet pas ndeshjes. Detaje të tjera do të publikohen pasi të përfundojë raporti i prokurorit”, thuhet në njoftimin e FIFA-s.


