Në një dalje për mediat paraditen e kësaj të hëne, ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj u bëri thirrje disa prej konsujve të nderit që veprojnë në Shqipëri, të dorëzojnë targat e tyre diplomatike me të cilat lëvizin krejt lirshëm me privilegje të veçanta, në atë që e quajti si rasti më unik në Europë e mbase edhe në botë.
“Bëhet fjalë për qytetarë shqiptarë, për të cilët ne jemi të nderuar t’i kemi si konsuj nderi këtu, biznesmenë të njohur, afaristë të ndryshëm, pronarë mediesh apo analistë politikë, që janë ngarkuar në Shqipëri si konsuj nderi nga vende të ndryshme të çdo kontinenti dhe qarkullojnë me privilegje të caktuara diplomatike në Shqipëri dhe jo vetëm, njësoj si ambasadorët dhe trupi diplomatik i akredituar në Shqipëri”, tha Cakaj.
Ai kërkoi prej tyre që të respektojnë ligjin dhe vetëm ligjin. “Ashtu siç jemi ne të nderuar t’i kemi ata, edhe ata do të jenë më të nderuar nëse aktiviteti i tyre do të jetë brenda kuadrit ligjor. Trajtimi i konsujve të nderit rregullohet nga ligji i posaçëm në Republikën e Shqipërisë mbi privilegjet dhe imunitetet, jo me targa diplomatike por me targa kombëtare dhe një shenjë ovale me gërmat HCC në të djathtë”, tha ministri i Jashtëm në detyrë.
Në përfundim, ai dha edhe numrin e personave që përfitojnë në mënyrë të padrejtë privilegje të ngjashme me ato të diplomatëve ndërkombëtarë.
“Në shkelje të habitshme të këtij ligji, janë 38 konsuj nderi të pajisur me targa CD, të cilët i kemi mes nesh dhe hyjnë e dalin nga kufijtë e këtij vendi jo si qytetarë të thjeshtë shqiptarë, madje as si shumica e zyrtarëve të tjerë qeveritarë, por si përfaqësuesit më të lartë diplomatikë ndërkombëtarë. Ky privilegj special, unik në Europë e mbase më gjerë, është i pajustifikueshëm, ndaj duhet të marrë fund”, tha Cakaj.