Ka kohë që flitet për hapjen e Vetëvendosjes në Maqedoni të Veriut. Megjithatë, një gjë të tillë dje e konfirmoi vetë lideri i VV-së, Albin Kurti nga sheshi i Prishtinës.
Megjithëse shumë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut iu gëzuan këtij lajmi dhe u kjo u vërejt nga reagimet në rrjetet sociale, disponim krejt të kundërt po del të kenë partitë politike shqiptare.
Bashkimi Demokratik për Integrim me kryetar Ali Ahmetin, ironizuan me paralajmërimin e Kurtit për hapjen e VV-së në Maqedoni. Të pyetur se si e komentojnë fjalimin e djeshëm të Kurtit dhe se a e shohin si konkurrent VV-në në Maqedoni në rast se garon në zgjedhjet e ardhshme, nga BDI-ja thanë:
“Nuk e kemi degjuar, kemi qene te angazhuar me kryeministrin e pare shqiptar dhe shendetin publik”, ishte përgjigja e Bashkimit Demokratik për Integrim.
Në pyetjen nëse e shohin si konkurent Albin Kurtin në Maqedoni, nga Lëvizja Besa e Bilall Kasamit thonë se fokusi i tyre tani është në zgjedhjet parlamentare që po afrohen, duke synuar fitoren. Ndërkaq, thonë se i urojnë sukses Kurtit në garë politike nëse ka iniciativë të tillë.
“Tani jemi në prag të zgjedhjeve parlamentare dhe Lëvizja BESA është e përkushtuar në fitoren e zgjedhjeve dhe jemi të gatshëm të qeverisim me vendin në mandatin e ardhshëm. Nëse ka iniciativa të tilla konkrete ne i urojme suksese” thonë nga Lëvizja Besa.
Të heshtur nga Aleanca për Shqiptarët. Edhe pse kërkuam qëndrim në lidhje me paralajmërimet e Albin Kurtit për hapjen e VV-së në Maqedoni të Veriut, funksionarët e partisë së Ziadin Selës nuk e panë të arsyeshme të përgjigjen.
Por nga Alternativa e Afrim Gashit, parti kjo në koalicion parazgjedhor me Aleancën e Selës, thonë e mirëpresin nisëm e Kurtit. Ata madje thonë se për shkak të raporteve të mira me VV-në, Kurtin e shohin si një bashkëpunëtor me të cilin do të dëshironin të bashkëpunonin dhe se nuk e shohin si konkurrent politik.
“Ne e përshëndesim nismën e Albin Kurtit për shtrirjen e Vetëvendosjes edhe tek ne. Mendojmë se kjo mund të jetë një rritje e cilësisë së jetës politike në vendin tonë. Duke i pasur në konsideratë marrëdhëniet tona të mira me VV-në, besoj se kjo do të jetë një ndihmesë edhe në përpjekjen tonë për ndryshimet e shumëpritura edhe te ne. Albini nuk është konkurrent për ne. Ai është një bashkëpunëtor dhe mik që do ta preferonte secili” thonë nga Alternativa e Afrim Gashit.
Përgjigje për këtë çështje nuk morëm as nga PDSH-ja e Menduh Thaçit. Ndërkaq të tre partitë politike shqiptare, BDI, Besa dhe Alternativa u përgjigjen negativisht në pyetjen nëse Albin Kurti e ka diskutuar paraprakisht me politikanët shqiptarë nga Maqedonia, nismën për hapjen e VV-së në Shkup.
Albin Kurti ishte prezent në Maqedoni gjatë zgjedhjeve presidenciale dhe mbështeti fuqishëm Blerim Rekën si kandidatin e vetëm shqiptar për President, kandidat ky që mbështetej edhe nga dy partitë tjera shqiptare në Maqedoni, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa.
Por në Maqedoni në këto zgjedhje parlamentare që pritet të mbahen në korrik, ka rrethana të tjera politike. Nga njëra anë është BDI-ja e Ali Ahmetit e cila synon kryeministrin e parë shqiptar, nga tjetra është Lëvizja Besa e cila ka ngritur kauzë për multietnicitet dhe ka bërë koalicionin e parë parazgjedhorë mes një partie shqiptare dhe asaj maqedonase, ndërsa në mes kanë koalicionin që synon ndryshimin, Aleancën për Shqiptarët dhe Alternativën. PDSH-ja e Menduh Thaçit do të garon e vetme në zgjedhje. Nuk dihet nëse Kurti do jetë prezent edhe gjatë këtyre zgjedhjeve në Maqedoni dhe nëse do të mbështes dikë nga këto parti ose koalicione që i përmendëm më lartë.