Pas provimit të maturës në lëndën e matematikës, dhjetëra nxënës të maturës i janë rikthyer sërish protestave përpara godinës së Ministrisë së Arsimit.
Të rinjtë kërkojnë prej 3 ditësh rivlerësimin e provimit të gjuhë- letërsisë, pasi sipas tyre testi kishte në përbërje pyetje të formuluara gabim por edhe njohuri që nuk ishin të përfshira në mësimet e orët e kryera nga maturantët. Shembulli më domethënës i pyetjeve ka qenë historia e ‘Turit’, një pyetje me alternativë që ka habitur maturantët.
Komiteti i maturës shtetërore njoftoi ditën e djeshme se do të ketë një ndryshim të vlerësimit, ku do t’i jepet peshë tre viteve të gjimnazit, por jo një riblerësim apo ribërje të provimit të letërsisë.
“Arsyeja pse kemi dalë është përsëri ankesa për Letërsinë. Nuk kam ankesa për provimin e Matematikës. Lajm pozitiv ai i KOMSH, por përgjigjia nga Ministria ishte e pakënaqshme. Prandaj vijojmë protestën për të mbrojtur të drejtat tona’’, tha një maturant, që doli sërish në protestë këtë të hënë.
“I matematikës ishte i thjeshtë, jo i vështirë si i Letërsisë. Kam dalë për provimin e Letërsisë pasi nuk më duket i drejtë. Nuk është çështja të rishikohen vetëm pikët por teza ishte abstrakte. Pyetje që kishin paqartësi. Alternativat ishin sinonime të njëra- tjetrës. Relativisht mirë kisha dalë por nuk bindem me atë skemë’’, shtoi një maturannte.
Kujtojmë se mbi protestat e maturantëve ka reaguar disa herë Ministrja e Arsimit Besa Shahini, duke i cilësuar ato si thellësisht të politizuara.