Vendimi i UEFA-s për të organizuar ndeshje të ekipeve përfaqësuese në shtator është marrë për të parandaluar dëmtimin e mëtejmë të garave ndërkombëtare, ka thënë të enjten presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin.
Është dukur se ai i është përgjigjur komenteve të shefit ekzekutiv të Bayern Muenchenit, Karl-Heinz Rummenige, që ka thënë se do të preferonte që në shtator të mos kishte ndeshje të përfaqësueseve, që lojtarët të mund të rikuperohen nga përfundimi i vonshëm i edicionit 2019\2020.
Edicioni aktual ishte pezulluar për rreth tre muaj në shumicën e vendeve evropiane për shkak të koronavirusit. Shumë prej ligave tashmë do të përfundojnë në gusht.
Liga e Kampionëve dhe Liga e Evropës do të përfundojnë me turne në Portugali e Gjermani, vonë në gusht. Edicioni i ardhshëm do të nis në mes të shtatorit.
UEFA të mërkurën vendosi që në shtator të luhen ndeshjet e planifikuara të përfaqësueseve, njëjtë si në tetor e nëntor. Në shtator do të luhen nga dy ndeshje, kurse në tetor e nëntor nga tri.
Datat do të shfrytëzohen për të luajtur ndeshjet e fazës grupore të Ligës së Kombeve e po ashtu miqësoret. Do të luhet edhe plejofi i shtyrë për “Euro 2020”.
“Mendoj se ajo që është diskutuar nuk është ide e mirë. Shpresoj që nuk është vendosur përfundimisht”, kishte thënë Rummenigge për ZDF.
Por Çeferin ka theksuar se shtyrja e Euro 2020 ka çmim të lartë për futbollin e përfaqësueseve dhe se kjo është bërë për të mundësuar përfundimin e edicionit në nivel klubesh.
“Ruajtja e dritares ndërkombëtare për shtator parandalon futbollin ndërkombëtar që të pësojë dëme tjera, një çmim që do të paguhej në secilin nivel të lojës”, ka thënë Çeferin.
“Si gardianë të lojës në gjithë Evropën, ne nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë”, ka shtuar i pari i UEFA-s.