Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Nancy Pelosi e ka quajtur të papranueshëm faktin se presidenti Trump nuk kishte reaguar pas raporteve se njësite ruse u kishin ofruar para talebanëve, për vrasjen e trupave amerikane.
“Nuk shkon më keq se kaq, e megjithatë Presidenti nuk i përball rusët me këto dyshime”, ka thënë Pelosi të dielen në një intervistë për ABC News.
“Kjo është e papranueshme. Do të mendonit se në momentin kur ka dëgjuar për këtë, Presidenti do të përpiqej të kuptojë më mirë se çka ka ndodhur, e jo t’i mohojë”, ka thënë Pelosi, raporton “The Independent”.
“Tani thotë, janë lajme të rrejshme. Pse e thotë këtë? Pse nuk e heton këtë çështje?”, ka shtuar ajo.
Shtëpia e Bardhë ka mohuar raportet se Trump ka shpërfillur paralajmërimet e inteligjencës së SHBA-së se ushtria ruse u kishte ofruar para militantëve talebanë në Afganistan që të vrasin ushtarë amerikanë dhe të forcave të koalicionit.
“New York Times” raportoi për këtë të premten, duke ndezur një stuhi akuzash se Presidenti kishte dështuar në mbrojtjen e ushtarëve të SHBA-së dhe forcave aleate, përfshirë këtu edhe atyre britanikë, transmeton KOHA.
Pelosi ka thënë se udhëheqësit në Kongres nuk janë në dijeni rreth kësaj çështjeje, pra nëse rusët kanë paguar për vrasjen e ushtarëve të SHBA-së. Por, ajo ka shtuar se do të hetohet nëse Presidenti ka qenë i informuar për këtë çështje, dhe cili ka qenë reagimi i tij.
“Diçka është shumë gabim këtu. Duhet të ketë një përgjigje”, ka thënë ajo.
Ish-këshilltari për Siguri Kombëtare i Trumpit John Bolton ka deklaruar të dielën se nëse ky raport ishte i vërtetë, atëherë “kjo do të jetë një nga çështjet më serioze të cilat kanë ndodhur në administratën e Trumpit”.
Ai ka shtuar se Trumpi nuk po përballet me sfidat që vijnë nga Korea Veriore, Kina ose Rusia, sepse është i verbuar nga fushata për rizgjedhje.