Që nga momenti kur u shfaqën raportimet e para për koronavirusin e ri, lista e simptomave të njohura ka ndryshuar, ashtu siç ka ndryshuar dhe kuptimi ynë, mbi atë çfarë i bën virusi trupit. Këshillat shëndetësore, si për qeveritë ashtu edhe për individët, kanë evoluar gjithashtu. Dhe megjithëse disa vende pretendojnë se e kanë eliminuar virusin, të tjerët vetëm tani po shohin shtim të rasteve, ndërsa disa po shohin se si duket një “valë e dytë” e infeksioneve. Çfarë mund të mësojmë nga vendet që vepruan në mënyrën e duhur – dhe ato që kanë gabuar?
Veprim i shpejtë
Një gafë e madhe që u bë në fillimet e pandemisë, ishte supozimi i gabuar se virusi është njësoj si gripi. Shumë shtete tashmë kishin një plan për t’u përballur me një grip pandemik. “Kjo dëmtoi aftësinë e tyre, për të menduar se si t’i përgjigjen një virusi tjetër,” thotë Jennifer Nuzzo në Universitetin Johns Hopkins në Maryland.
Koronavirusi kërkonte një përgjigje të ndryshme, thotë Michael Baker në Universitetin e Otagos në Uellington, i cili këshilloi qeverinë e Zelandës së Re për reagimin ndaj covid-19. Gripi zakonisht ka një periudhë inkubimi – koha midis momentit kur dikush infektohet dhe momentit kur shfaq simptoma – nga një deri në dy ditë. Kjo e bën jashtëzakonisht të vështirë të gjurmosh kontaktet e një personi të infektuar, para se të sëmuret vetë.
Koronavirusi, nga ana tjetër, duket se ka një periudhë inkubimi rreth pesë deri në gjashtë ditë, por potencialisht edhe disa javë. “Do të thotë se është një valë më e ngadaltë dhe ka më shumë mundësi për të përdorur gjurmimin e kontakteve, izolimin dhe karantinën,” thotë Baker.
“Ne e dimë që kështu është, sepse [SAR] [koronavirus] u frenua dhe u eliminua me ato masa tradicionale”.
Veç kësaj, ndërsa gripi “mund të përhapet në një popullatë të tërë brenda disa javësh”, thotë ai, koronavirusi mund të rrijë rretherrotull për një kohë shumë më të gjatë dhe mund të ketë efekte më jetëgjata mbi shëndetin, për ata që i mbijetojnë covid-19. Kjo është një arsye pse ideja e pritjes për të arritur imunitetin e tufës, në vend të ndërmarrjes së veprimeve për të kufizuar ndikimin e virusit – një strategji e konsideruar fillimisht nga qeveritë e Britanisë së Madhe dhe Suedisë – u hodh poshtë gjerësisht nga komuniteti shkencor.
Sot, Mbretëria e Bashkuar ka numrin më të madh të rasteve të regjistruara të koronavirusit në Evropën perëndimore, ndoshta pjesërisht për shkak të reagimit të vonuar të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar ndaj shpërthimit. Një faktor që bashkon shtetet që kanë bërë një punë më të mirë në kufizimin e numrave të rasteve, është një reagim fillestar i shpejtë. “Në vende si Kina, Koreja e Jugut, Japonia, reagimi fillestar ishte mjaft i shpejtë, kështu që faza e frenimit funksionoi vërtet mirë për ta,” thotë Rajiv Choudhury në Universitetin e Kembrixhit. Duke identifikuar shpejt rastet e reja dhe prejardhjen e tyre, këto vende kishin një shans shumë më të mirë për të ndërprerë transmetimin e vazhdueshëm të virusit, thotë ai.
Izolimet në kohën e duhur
Një strategji tjetër që duket se ka qenë e suksesshme, ishte vënia në zbatim e izolimeve: vendosja e kufizimeve në lëvizje për të frenuar përhapjen e sëmundjes. Mungesa e kufizimeve të tilla në Suedi është fajësuar gjerësisht për numrin e rasteve, i cili tejkalon shumë atë të vendeve fqinje.
“Kur thjesht i lë gjërat të ndodhin dhe nuk zbaton asnjë masë kontrolli … unë mendoj se kemi parë që rezultatet mund të jenë shkatërruese,” thotë Susy Hota në Rrjetin e Shëndetit Universitar në Kanada.
Rregullat e izolimit kanë ndryshuar gjerësisht në të gjithë botën, por zbatimi i kufizimeve në fillim ka funksionuar mirë për shumë vende, përfshirë Kinën dhe Zelandën e Re.
Izolimi i Zelandës së Re ishte veçanërisht i rreptë: shkollat, universitetet dhe pothuajse të gjitha bizneset u mbyllën dhe njerëzit mund të dilnin nga shtëpitë, vetëm për arsye thelbësore. Masat e tilla patën sukses në uljen e numrit R – numri mesatar i personave që një person me virus do të infektojë – nga rreth 2 në rreth 0.5 brenda pesë javësh, thotë Baker.
Modelet e ndërtuara kanë sugjeruar që zbatimi i izolimit vetëm një javë më herët në Mbretërinë e Bashkuar, do të mund të kishte shmangur 20,000 vdekje. Por bllokimet nuk funksionojnë domosdoshmërisht në të njëjtën mënyrë në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ku mund të jetë shumë më e vështirë për njerëzit që jetojnë në banesa me cilësi të ulët, në zona me popullsi të dendur, që të qëndrojnë në shtëpi dhe të humbasin të ardhurat, thotë Choudhury. Për shkak se shtetet e tilla mund të jenë në gjendje të mbajnë vetëm izolime afatshkurtra, koha e vënies në zbatim të këtyre kufizimeve është thelbësore, thotë ai.
Choudhury thekson se shumë vende në Azinë e Jugut dhe Amerikën Qendrore dhe Jugore vendosën bllokime njësoj me ato evropiane. Në atë pikë, rastet ishin në rritje në Evropë, ndërsa kishte shumë pak në shumë shtete me të ardhura të ulëta. Në teori, ka kuptim të vendoset izolimi, kur rastet janë ende të ulta, thotë Choudhury. Por për shkak të vështirësive në zbatimin e kufizimeve, numri i rasteve vazhdoi të rritet.
Rastet tani po rriten në shumë vende ku qeveritë kanë lehtësuar kufizimet, të cilat janë bërë ekonomikisht të papërballueshme. “Ky është një trend që e shoh në shumë vende në Amerikën Latine, Azinë Jug-Lindore dhe Afrikë,” thotë Choudhury.
Këto dhe rajone të tjera po bëhen shpejt pikat e ardhshme të nxehta të koronavirusit. Për shembull, shumë njerëz në Bangladesh e kishin të vështirë të zbatonin kufizimet, me gati tre të katërtat e atyre që jetojnë në zonat urbane, që humbnin burimin kryesor të të ardhurave. Në Brazil, mesazhet e përziera nga qeveria dobësuan impaktin e izolimi. Virusi aktualisht po përhapet ndjeshëm në të dy vendet.
Qasjet alternative mund të funksionojnë më mirë në disa vende, thotë Choudhury. Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) ka rekomanduar që Pakistani, i cili gjithashtu ka përjetuar një shtim të rasteve, të vendosë një bllokim dy javë po, dy javë jo. Më shumë izolime të lokalizuara, gjithashtu mund të jenë efektive. Kjo qasje është adoptuar tashmë në një numër vendesh të tjera, përfshirë në qytetin Leicester të Britanisë së Madhe.
Kufizimet e udhëtimeve
Izolimi vetëm nuk është i mjaftueshëm. Që nga fillimi i shpërthimit, është bërë e qartë vlera e testimit të njerëzve, gjurmimit të kontakteve të tyre dhe nxitjes së tyre për t’u izoluar.
“Eshtë vërtetuar se është e rëndësishme, jo vetëm për të ndihmuar në ndërprerjen e transmetimit … por edhe për ne që të kuptojmë më mirë se ku po ndodh transmetimi. Ne duhet të kemi përpjekje të targetuara, për të mbrojtur njerëzit në ato ambiente,” thotë Nuzzo.
Një pjesë e suksesit të Zelandës së Re ishte për shembull për shkak të forcimit të aftësive të testimit dhe gjurmimit. “Zelanda e Re nuk ishte lideri botëror në këtë gjë,” thotë Baker. “Ne mësuam nga përvoja aziatike”. Në mënyrë të veçantë, Baker dhe kolegët e tij ndoqën atë që kishte funksionuar në vende si Tajvani, i cili ka raportuar më pak se 10 vdekje deri më tani.
Si Zelanda e Re, ashtu edhe Tajvani vendosën kontrolle kufitare që në fillimet e shpërthimit, duke kufizuar ardhjen e udhëtarëve që mund të sillnin virusin. Kufizimet e udhëtimit gjithashtu funksionuan mirë për Nepalin dhe Sri Lankën, thotë Choudhury.
Disa vende që nuk imponojnë kufizime të tilla duket se kanë vuajtur. “Ky ka qenë një faktor kryesor, në shpejtësinë me të cilën epidemia lokale u shndërrua në pandemi në Bangladesh,” thotë Choudhury. Kur shpërthimet po godisnin Evropën dhe Lindjen e Mesme, nënshtetasit e Bangladeshit udhëtuan drejt vendit të tyre. “Njerëzit ishin të frikësuar dhe donin të shkonin në vendin e tyre, dhe një pjesë e mirë po sillnin me vete virusin”, thotë Choudhury.
“Ishte e pamundur për qeverinë lokale të kontrollonte kaq shumë njerëz, kaq papritur dhe, si rezultat, ata humbën kontrollin”.
Shpërthimet e para në Mbretërinë e Bashkuar mendohet se janë shkaktuar nga ata që ktheheshin nga pushimet e skive në Itali dhe Austri, dhe rastet vinin gjithashtu nga Kina, thotë Patricia Schlagenhauf në Universitetin e Zyrihut në Zvicër. “Eshtë e qartë se udhëtimi kontribuon shumë në përhapjen e virusit,” thotë ajo.
Sidoqoftë, në fillimin e pandemisë, OBSH nuk rekomandonte që udhëtarët ndërkombëtarë të kontrolloheshin për infeksione apo që udhëtimet të kufizoheshin në çfarëdolloj mënyre. “Më vonë, ata këshilluan kundër udhëtimeve të panevojshme”, thotë Schlagenhauf.
Por kufizimet dhe ndalimet e udhëtimit janë të vështira për t’u zbatuar dhe njerëzit gjithmonë mund të gjejnë mënyra për t’i anashkaluar, thotë Hota. Kufizime të tilla nuk janë gjithmonë përdorimi më i mirë i mundshëm i burimeve, sidomos për shtetet më të mëdha dhe ato që nuk janë ishuj, ku sfida është shumë më e madhe, thotë Nuzzo. Ajo nënvizon përvojat e SHBA, që ndaloi shumicën e jorezidentëve të mbërrinin nga Kina në shkurt. “Por ka shumë njerëz që udhëtojnë nga Kina në Shtetet e Bashkuara sepse ata janë nënshtetas të SHBA”, thotë Nuzzo.
Burimet e shëndetit publik dedikuar menaxhimit të këtij grupi të vogël njerëzish mund të ishin zbatuar më mirë diku tjetër, thotë Nuzzo. “Kam pasur një koleg në një departament të shëndetit të një qyteti të madh, i cili tha se kishin dy udhëtarë që ktheheshin nga Kina, të cilëve u duhej të vendoseshin në karantinë,” kujton ajo. “Ata kishin 33 persona staf, të dedikuar për gjetjen e një hoteli për ta, monitorimin e tyre, ofrimin e sigurisë dhe sigurimin që nuk do të largoheshin,” thotë ajo.
“Kjo gjë shteroi të gjitha burimet për të bërë gjëra të tilla si zgjerimi i kapaciteteve spitalore dhe mbrojtja e azileve të pleqve, apo dhe zgjerimi i testimeve laboratorike,” thotë Nuzzo. “Kishte shumë gjëra që SHBA duhej t’i bënte në Janar, Shkurt dhe fillim të Marsit, që thjesht nuk i bëri”.
Bllokimi i udhëtimeve nga Kina nuk ndihmoi vende si Nju Jorku. Përhapja e madhe në qytet mendohet të jetë shkaktuar nga udhëtarët që sillnin virusin nga Evropa, thotë Nuzzo.
Maskat
Një kuptim më i mirë se si përhapet virusi po ndryshon edhe mënyrën se si ne përpiqemi të trajtojmë përhapjen e tij. Ne kemi mësuar, për shembull, që njerëzit pa simptoma mund të përhapin virusin. Kjo duket të jetë e vërtetë, si për ata që më vonë vazhdojnë dhe ndjehen keq, ashtu dhe ata që nuk shfaqin asnjë simptomë.
Dhe ndërsa ne ende nuk e dimë saktësisht se sa e rëndësishme është kjo mënyrë e transmetimit për përhapjen e përgjithshme të koronavirusit, zbulimi ka ndihmuar në ndryshimin e këshillave për veshjen e maskave për publikun. Në prill, OBSH këshilloi që njerëzit me simptoma duhet të mbanin një mbulesë të fytyrës, por që nuk kishte prova për të mbështetur vendosjen masivisht të maskës për komunitetin e gjerë.
Organizata e ndryshoi pozicionin e saj në qershor, dhe aktualisht rekomandon që njerëzit mbi 60 vjeç dhe ata me sëmundje të tjera, të mbajnë një maskë mjekësore në ambiente ku nuk janë në gjendje të mbajnë distancën nga të tjerët. Maska jo-mjekësore rekomandohen gjithashtu për këdo që viziton ambiente të mbyllura publike, siç janë dyqanet, shkollat dhe transporti publik, si dhe ata që jetojnë në kushte të mbipopulluara, ose kalojnë kohë në zona ku ka një transmetim të përhapur ose ku distanca fizike është e pamundur.
Edhe tani, nuk ka prova të forta dhe të kontrolluara, që mbajtja e maskës në komunitet ngadalëson transmetimin e virusit. Skeptikët thonë se maskat prej lecke ndryshojnë në aftësinë e tyre për të kufizuar përhapjen e thërrmijave infektuese – dhe asnjë lloj maske nuk e parandalon tërësisht transmetimin. Ka gjithashtu shqetësime se, jashtë mjediseve klinike, maskat përdoren shpesh në mënyrë të papërshtatshme. Shumë përdorues vazhdojnë të prekin fytyrën ndërkohë që përdorin maskë, e mbajnë atë poshtë hundës apo nuk i lajnë nga një përdorim në tjetrin, duke i bërë kështu shumë më pak efektive.
Megjithatë, konsensusi shkencor ka ndryshuar në muajt e fundit. Tani shkencëtarët argumentojnë se, ndërkohë që përdorimi i maskave mbështetet nga pak studime të dobëta dhe aty nuk bëjnë asnjë dëm, ia vlen të përdoren, të paktën në vende ku e ke vështirë të rrish larg të tjerëve. “Nuk ka arsye të mos i përdorim”, thotë Nuzzo.
Pavarësisht mësimeve të nxjerra, shumë vende janë ende shumë larg eleminimit të virusit, dhe do të nevojitet një përzierje strategjish. “Unë mendoj se objektivi është të mbahet numri i rasteve sa më i ulët që të jetë e mundur, deri kur të kemi një vaksinë”, thotë Nuzzo. / NS – Bota.al