Përmes një postimi në Facebook, Albana Vokshi shprehet se pavarësisht ankesave të qytetarëve kryebashkiaku Erion Veliaj bën sikur nuk dëgjon.
Vokshi akuzon Ramën dhe Veliajn se gënjyen kur premtuan 24 orë ujë për kryeqytetin, ndërsa shtin se kryebashkiaku shpenzon miliona euro për propagandë.
Postimi i plotë i Vokshit:
“Banorët e kryeqytetit e paguajnë ujin më shtrenjtë nga të gjithë, por nuk kanë ujë në çezma.
Gjendja është rënduar shumë prej 3 ditësh, por Erion Veliaj bën sikur nuk i dëgjon ankesat e qytetarëve.
Gjatë 5 viteve në krye të Bashkisë së Tiranës ai nuk bëri asnjë investim domethenës për zgjidhjen e furnizimit me ujë të kryeqytetit, megjithëse e rriti disa herë çmimin e ujit.
Bashkë me Edi Ramën, gënjyen për furnizimin me 24 orë ujë. Në mes të Tiranës, njerëzit po blejnë ujë edhe për të shkuar në tualet, sepse Erion Veliaj harxhon miliona euro për propagandën dhe imazhin e tij të rremë.
Në kushtet e pandemisë, mungesa e ujit është kriminale, veçanërisht, kur për 3 ditë nisin shkollat.
Protesta sot për të kërkuar ujë në Zyrat e Ujësjellësit Tiranë meriton një duartrokitje.
Banorët e Tiranës po e refuzojnë modelin e drejtimit nga Erion Veliaj dhe Edi Rama”.
1200 familje në një bllok pallatesh në Tiranë, çdo verë përballen me mungesën e ujit të pijshëm. Për këtë shkak kanë protestuar ditën e sotme për rreth dy orë në zyrat e UKT, ku vetëm pas mediatizimit të reagimit morën si premtim furnizimin tre herë në ditë.
Prej tre vitesh, çmimi u ujit të pijshëm në Tiranë është rritur, por pavarësisht premtimeve, sërish familjet nuk kanë parë ndryshim në rubinete.