Mungesat te Shqipëria dhe forma e mirë që po kalojnë te klubet e tyre mund të ndikojnë që Marash Kumbulla i Romës dhe Myrto Uzuni i Ferencvaroshit të jenë titullarë te Kombëtarja në dy ndeshjet e këtij muaji në kuadër të Ligës së Kombeve.
Kuqezinjtë do të luajnë në udhëtim te dy duelet, ndaj Kazakistanit më 11 tetor dhe me Lituaninë më 14 tetor. Të dy lojtarët e kanë filluar mbarë edicionin e ri duke zënë vend në skuadrat e reja të tyre.
Marash Kumbulla që u transferua te Roma në verë nga Verona ka deklaruar në konferencën për media, të martën, se e rëndësishme për të është të luajë vazhdimisht dhe ta ndihmojë ekipin dhe Kombëtaren. Ai ka shtuar se i takon trajnerit Edy Reja të vendosë nëse do të luajë titullarë.
“Jam shumë i kënaqur, sepse shkova në një klub historik. Rëndësi ka që të luaja në vazhdimësi me Romën dhe pastaj të vija në Kombëtare. Rëndësi ka që Kombëtarja të luajë mirë dhe të fitojë, për aktivizimin tim vendos trajneri. Nuk e di nëse jam lojtar titullar, sepse zgjedhjet i bën trajneri. Shpresoj të luaj dhe të ndihmoj ekipin, por, siç e thashë më parë, rëndësi ka që Kombëtarja të fitojë, me apo pa mua. Unë jam mbrojtësi më i ri në Kombëtare dhe nuk jam unë që duhet ta bëj liderin, është Berati e lojtarë të tjerë që e bëjnë liderin”, tha Kumbulla, i cili theksoi se ndërrimi i fanellës me Chiellinin ishte i veçantë për të, pasi thekson se e ka idhull dhe se italiani i ka thënë se e ka bërë zgjedhjen e duhur që ka kaluar te Roma. 20-vjeçari Kumbulla ka nënvizuar se do të hyjë për të fituar në duelet e tetorit.
“Ndeshjet me Kazakistanin dhe Lituaninë: Sigurisht që lojtarët veteranë marrin përgjegjësitë, por edhe ne, lojtarët e rinj, besoj se kemi karakter për t’i përballuar këto ndeshje. Mendojmë gjithmonë për të fituar. Në fillim të mendojmë për Kazakistanin, të luajmë mirë dhe ta fitojmë. Trajneri na flet për këtë ndeshje, pastaj për Lituaninë”, tha Kumbulla.
Optimist është shprehur edhe mesfushori ofensiv, Myrto Uzuni. Ai ka thënë se formën e mirë që po e kalon te Ferencvaroshi do të mundohet ta shfaqë edhe me Shqipërinë.
“Kam shënuar dy gola me shumë vlerë për ekipin tim. Tani është koha për Kombëtaren dhe duhet të mendojmë të bëjmë sa më mirë këtu, së bashku me grupin. Normalisht kur vjen te Kombëtarja është një ndjesi e veçantë. Golat më japin motivim dhe shtysë për të vazhduar përpara. Trajneri Reja më uroi për golat dhe paraqitjet, pasi ata shikojnë gjithçka. Forca më vjen nga sakrificat që kam kaluar, pasi vlerësoj çdo ndeshje dhe stërvitje sikur të ishte e fundit për mua”, tha Uzuni, i cili sikurse Kumbulla thekson se i takon Rejës të vendosë se a e meriton të luajë nga minuta e parë.
“Për aktivizimin vendos trajneri. Sigurisht nuk ndihem mirë për mosaktivizimin, por unë duhet të bëj punën time. Unë më mirë ndihem me Baren dhe Manajn, pasi kemi luajtur edhe te Shpresat”, u shpreh Uzuni, i cili me Ferencvaroshin arriti të kualifikohej në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, duke shënuar dy gola.
Lista e publikuar nga trajneri Edi Reja ka pësuar ndryshime, ku do ketë mungesa të rëndësishme. Sipas Federatës Shqiptare të Futbollit, portieri Etrit Berisha, Ylber Ramadani, Florian Kamberi, Lindon Selahi dhe Klaus Gjasula nuk do të jenë të gatshëm, pasi nuk lejohen nga klubet të dalin jashtë vendeve respektive.
Edhe portieri Thomas Strakosha ka shfaqur probleme fizike dhe është në pikëpyetje për ndeshjet. Për këtë arsye trajneri Reja ka vendosur të thërrasë portierët Alban Hoxha dhe Gentian Selmani. Përveç dy ndeshjeve të Ligës së Kombeve, Shqipëria kishte planifikuar të luajë edhe një miqësore më 7 tetor ndaj Armenisë, por është anuluar për shkak të situatës së rënduar dhe trazirave që po ndodhin në Armeni.