Kancelari austriak, Sebastian Kurz, humbi votëbesimin në parlament.
Mocioni i mosbesimit u mbështet nga ligjvënësit e Social-Demokratëve dhe të partisë së ekstremit të djathtë Liria, e cila ka qenë në koalicion me Kurzin, derisa ky i fundit e ka ndërprerë aleancën me të, javën e kaluar.
Presidenti i Austrisë, Alexander van der Bellen, duhet të emërojë tani një kancelar për të formuar qeverinë, e cila do të jetë në detyrë deri në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, që pritet të mbahen në shtator.
Kriza politike në Austri nisi dhjetë ditë më parë, si pasojë e shfaqjes së një videoje, që supozohej se tregonte zëvendëskancelarin Heinz-Christian Strache duke i ofruar kontrata një përfitueseje potenciale ruse, në këmbim të donacioneve politike.
Strache, nga Partia Liria, dha dorëhqeje nga qeveria më 18 maj.
Në video, ai shihet duke pushuar në sofa, duke pirë dhe duke biseduar me një grua që pretendon se është një ruse e pasur, që dëshiron të investojë në Austri.
Gruaja në video ofron për të blerë 50% të aksioneve në gazetën austriake Kronen Zeitung dhe të ndryshojë qëndrimin e saj editorial, në mbështetje të Partisë Liria.
Në këmbim, Strache thotë se mund t’i ofrojë asaj kontrata publike.
Kurz, udhëheqës i Partisë Popullore të Austrisë, është kancelari i parë në historinë e Austrisë së pasluftës që humb votëbesimin.