Një 17-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa tre persona të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë si pasojë e një aksidenti të rëndë automobilistik në zonën e Beachy Head, në East Sussex të Anglisë.
Përplasja ndodhi mbrëmjen e së premtes, pak para orës 21:30, dhe përfshiu një automjet Volkswagen Golf blu dhe një Volkswagen Polo të bardhë. Viktima, një 17-vjeçar nga Eastbourne që udhëtonte si pasagjer në njërën prej makinave, u shpall i vdekur në vendngjarje.
Nga i njëjti automjet mbetën të plagosur rëndë edhe një 19-vjeçar nga Polegate dhe një 21-vjeçar nga Hellingly. Gjithashtu, lëndime të rënda pësoi edhe drejtuesi 21-vjeçar i automjetit tjetër, nga Eastbourne.
Policia e Sussex-it ka nisur hetimet dhe u ka bërë thirrje të gjithë dëshmitarëve, si edhe drejtuesve të automjeteve që disponojnë pamje nga kamerat e makinës (dashcam) ose video nga zona në momentin e aksidentit, të kontaktojnë autoritetet për të ndihmuar në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.


