Ndërsa zyrtarisht mësohet se mbi 600 qytetarët të Krujës janë paraqitur në spital nga kontaminimi i ujit, deputetja e Krujës Merita Bakiu foli për 1200, pa llogaritur të tjerët që po mjekohen në banesa.
Në një prononcimn për mediat nga oborri i Kuvendit ajo tha se shqetësues gjithashtu është mosfurnizimi me ujë i qytetit ndërsa denoncoi neglizhencën dhe mosreagimin e qeverisë.
Bakiu: Po bëhen 5 ditë që qyteti i Krujës është në krizë të tmerrshme. Ka më shumë se 1200 raste që janë paraqitur në urgjencë për të marrë ndihmën e parë për shkak të ujit të kontaminuar. Përveç tyre ka shumë banorë të tjerë që nuk janë paraqitur në spitale por po marrin trajtim në shtëpi. Shqetësues për Krujën është mosfurnizimi me ujë të pijshëm që i ka çuar në një krizë tjetër. Jemi të shqetësuar sepse shteti nuk ka reaguar fare, është e tmerrshme që në një helmim kaq masiv një qeveri të mos reagojë. Ka reaguar vetëm pas tre ditësh kur filluan mediat, presionet politike dhe problematikat e njerëzve. Atëherë erdhi ministrja e Shëndetësisë dhe tha se e kemi situatën në kontroll.
Duke e cilësuar një situatë të pazakontë për qytetin, deputetja kërkoi dorëheqjen e kreut të Bashkisë.
Bakiu: Është një situatë që nuk ka ndodhur herë tjetër në qytetin e Krujës dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Kryetari i Bashkisë Artur Bushi duhet të japë dorëheqjen.
Ndërsa nënkryetari i PD-së, Enkelejd Alibeaj, tha se ngjarja në Krujë është një krim masiv.
Alibeaj: Qeveria duhet të kishte pranuar të diskutonim sot në parlament helmimin masiv. Vetëm nga këmbengulja e PD, nga prania jone e vazhdueshme në Krujë, instucionet po lëvizin nga një këmbë për të nxjerrë përgjegjësit. Ky është një krim masiv.